Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka komentuar përfundimin e sezonit të Superligës dhe triumfin e Egnatias si kampione e Shqipërisë për të tretin vit radhazi.
Në një prononcim për RTSH Sport, Duka theksoi se gara për titull mbeti e hapur deri në ndeshjen e fundit.
“Ka qenë një sezon relativisht i gjatë, por shumë i bukur dhe kompetitiv. Deri në ditën e fundit tri skuadra ishin në garë për titullin kampion. Në fund fitoi Egnatia, e cila jo vetëm pati fatin në anën e saj, por edhe e meritoi suksesin duke fituar ndeshjet vendimtare të 'Final 4'”, deklaroi kreu i futbollit shqiptar.
Sa i përket të ardhmes së kampionatit, presidenti i FSHF-së sqaroi se numri i skuadrave në elitën e futbollit shqiptar nuk do të ndryshojë për sezonin 2026-27, duke mbetur në dhjetë, pasi rregulloret aktuale nuk e lejojnë një vendim të tillë në këtë moment. Sa i takon formatit me 'Final 4', Duka tha se do të ketë rishikim të formulës për titullin kampion, duke pranuar kështu dështimin e kësaj formule.
“Është e pamundur që sezonin e ardhshëm të kemi ndryshim të numrit të skuadrave. Përsa i përket formatit, do të analizojmë të gjitha alternativat. Mund të vazhdohet me katër faza, mund të ketë play-off ose një tjetër formulë gare. Vendimi do të merret brenda 15 ditëve të para të qershorit”, theksoi Duka.
Ai pranoi gjithashtu se pjesëmarrja e tifozëve në fazën 'Final 4' nuk ishte në nivelin e pritur, duke nënvizuar se mungesa e skuadrave si Partizani dhe Tirana ndikoi ndjeshëm në interesin e publikut.
"Pjesëmarrja në 'Final 4' nuk ka qenë e kënaqshme, sigurisht e ka penalizuar mospjesëmarrja e Partizanit dhe Tiranës. Kështu që, për edicionin tjetër do të rishohim se çfarë formati do të kemi", tha ai.
Në fund, Duka u shpreh se do të kishte preferuar një kampion tjetër këtë sezon, për të sjellë më shumë larmi në futbollin shqiptar, por pranoi se Egnatia e fitoi me meritë titullin.
“Do të më pëlqente që titulli të shkonte te një skuadër tjetër, si Elbasani apo Vllaznia, që e presin prej vitesh këtë sukses. Por futbolli vendoset në fushë dhe Egnatia tregoi se e meritoi plotësisht. Në futboll nuk ka të mëdhenj apo të vegjël, ka vetëm skuadra që japin më shumë në momentet vendimtare”, përfundoi presidenti i FSHF-së.
Komente










