Armand Vokshi rrëfen arkitekturën e Tiranës në 100 vite, arkitekti: Zgjidhja për të ardhmen, konkurset

Si ka ndryshuar arkitektura e Tiranës gjatë 100 viteve? A është krijuar një identitet urban përfundimtar? Përse sot Tirana është një ndër qytetet më atraktive nga studiot dhe arkitektët e huaj? Përgjigjet e këtyre pyetjeve, por dhe të tjerave, Armand Vokshi, dekan në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës në Universitetin Politeknik të Tiranës i rrëfen në një botim, “Arkitektura, Tirana 100 vite”.

“Ky është një botim i mundësuar nga Bashkia e Tiranës për 100-vjetorin e kryeqytetit. Duke qenë se unë jam pjesë Fakultetit të Arkitekturës, studimet që kanë në qendër historikun e Tiranës edhe të qyteteve të tjera janë pjesë e përditshmërisë sonë. Në studimet e mia unë kam qenë i fokusuar në periudhën italiane, kohën e Zogut deri në vitet 1942-‘43. Për leksione ndalim dhe tek diktatura e post-diktatura. Këto materiale i kam përmbledh në një vëllim të shtjelluar jo vetëm për arkitektët, por dhe për masën e gjerë”, thotë Armand Vokshi.

Teksa përshkruan stilet karakteristike që përbëjnë arkitekturën e ndërtesave në kryeqytet gjatë një shekulli, Vokshi na tregon se është e vështirë  që Tirana të ketë ngjashmëri me qytetet e tjera në botë

“Tirana është e vështirë të ketë ngjashmëri, pasi është një pikë kyçe që Lindja dhe Perëndimi kryqëzohen.  Unë nuk gjej qytet tjetër që të ketë këtë kryqëzim kaq harmonik dhe dinamik, por dhe me kaq kontraste me njëra-tjetrën sa mund të ketë kryeqyteti ynë. Imagjinoni në 500 vite, pushtimi Osman pati lënë gjurmë të rëndësishme në territor, të cilat u ndryshuan me dashje në periudhën e fashizmit, duke futur ndërthurjen e arkitekturës italiane dhe perëndimore në strukturë, përmes ndërhyrjeve urbanistike të rëndësishme”, shpjegon Vokshi, teksa shton se kemi dhe ndryshime të tjera në periudhën e komunizmit, ku ndryshoi qasja si për qytetin dhe për arkitekturën.

“Orientimi i pjesës historike nga krahu i Lindjes katapultoi në Tiranë dhe arkitekturën neoklasike ruse të Bashkimit Sovjetik dhe të vendeve të Lindjes. Të gjitha këto shtresa që u vendosën dhanë një qytet relativisht i ri, po flasim 100 vite kryeqytet dhe diku 400 vite të periudhës që ne njohim nga koha e pushtimit osman.
Ndërkohë, që gjatë 30 viteve të fundit po shikojmë një qytet tjetër, që u mbivendoset shtresave të mëparshme. Në një farë mënyre është si ajo pjesa e brumit, që s’ka marrë ende formën e vet, por është ende duke u hapur, derisa të zërë përfundimisht shtratin e vet. Por, nuk është më Tirana që ne kemi parë deri në vitet ‘30, ‘40 e ‘50, edhe që po vazhdon që të ndryshojë akoma. Katalogu tregon ato që po ndodhin. Ndërsa, për periudhën e komunizmit edhe paskomunizmit do të duhet edhe një 10-vjeçar për të parë nëse ndërhyrjet kanë qenë pozitive apo negative në shumë aspekte”,
shprehet arkitekti.

Pas viteve 90 në Tiranë dominojnë ndërtesat e larta, për këtë arkitekti mendon se dhe në të ardhmen do të na duhet të mësohemi me këtë trend

“ Normalisht nuk jemi i vetmi qytet që ka ndërtesa të larta, ka edhe qytete të tjera në botë dhe Evropë. Mesa shihet ka për të qenë një trend i Tiranës së ardhshme, edhe ne po na mësohet syri me to. Tashmë janë bërë fakt dhe duhet rikonceptuar dhe një herë skuline i Tiranës. Është vonë që të zhbëhen tanimë, pasi shumica janë bërë, shumica janë në ndërtim e sipër dhe disa janë në projekte konkretisht”, tregon ndër të tjera ai.

Ndërkohë, që në disa qytete të Evropës konservohet e vjetra, në Tiranë transformimi i qytetit shihet si një laborator idesh, veçmas për studiot e huaja të arkitekturës

“Ky është një debat që nuk ka fund. Në një takim me arkitektët e Ballkanit në Sofje të gjithë na shikonin me një sy ndjellës përsa i përket prezencës sonë aty, na thoshin: “Ju po eksperimentoni. Në qytetet tona nuk ndodh asgjë. Ndërkohë që ne po konservojmë të vjetrën, ju po transformoni qytetin”. E shihnin këtë me një sy shumë pozitiv. Ndërkohë, që kishte të tjerë, që thoshin: “Ju po humbisni pjesën e trashëgimisë kulturore”. Ky është një debat që s’ka fund. Është e vërtetë se Tirana është kthyer në një laboratorë, ku arkitektët, sidomos të huajt bëjnë çdolloj arkitekture. Kjo mund të ketë dy kahe, pozitive dhe negative. Nga një anë, tendenca është për të lënë shenja të forta, që i kanë të pamundur për t’i lënë në shtetet e tyre, pasi ne kemi një legjislacion më të lirë ku arkitektët mund të shprehin arkitekturën e tyre. Nga një anë ndoshta janë dhe të veçanta, sepse nesër ndoshta mund të sjellin turistë. Por nga ana tjetër, duhet parë se nganjëherë janë agresive dhe mund të jenë në kontrast me atë gjendje që ndodhet qyteti. Prezenca e arkitektëve të huaj në fakt ka pas avantazhet e veta, se ka ngrit pak nivelin e debatit. Ne jemi shumë koshient se arkitektura e pas viteve ’90 nuk ka prodhuar vlera në Shqipëri. Kjo nuk ka qenë për faj të arkitektëve shqiptarë, por ndoshta se financat dhe marrëdhëniet e investitorëve kanë qenë të tilla. Por sollën një farë shkundje të arkitektëve shqiptarë, duke krijuar garë jo vetëm mes arkitektëve vendas, por edhe me të huajt. Jam dakord që ka arkitektë vendas shumë të mirë. Por, nuk mund të jetë debati nëse mund të jenë arkitektë shqiptarë apo të huaj, por që të bëhet më e mira. Edhe për këtë e vetmja zgjidhje është që të ketë konkurse”, përfundon Vokshi.  

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • San Giorgio: 14/01/2021 20:42

    O Boshnjaku,po Tiranë's nuk i ka ngel asgjë nga Arkitektura e vjetër eapo e realizmit socialist..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Parashikimi i motit, e premte, 27 dhjetor

Parashikimi i motit, e premte, 27 dhjetor