Ambasadori Mkrtchyan: Armenia nuk ka marrë fund!

Ambasadori Mkrtchyan: Armenia nuk ka marrë fund!

Harta e Armenisë dhe Azerbajxhanit dhe rajoni i Nargorno-Karabakh

“Tokat tona historike janë Khanati i Jerevanit, Goycha (Liqeni Sevan) dhe Zangezur Mahal (Syunik). Do të vijë koha kur do të jetojmë atje. Unë e besoj dhe jam i sigurt për këtë. Për ta arritur këtë gjë, secili prej nesh duhet të bëjë një përpjekje” ... Ilham Aliyev, 18 shtator 2013

Disa vite më parë, nuk mund ta përfytyroja se do të filloja një artikull duke cituar presidentin e Azerbajxhanit. Por historia na ka mësuar se nuk duhet t’i shpërfillim kurrë  kërcënimet apo çdo lloj mesazhesh që vijnë nga manualet e diktatorëve. Pas luftës 44-ditore në Nagorno-Karabakh, udhëheqësi i Azerbajxhanit ka rinisur përpjekjet e tij për të copëtuar Armeninë dhe për t’u "rikthyer në tokat historike", megjithëse dikush mund të pyesë veten se ç’pretendime "historike" mund të ketë një shtet si Azerbajxhani, i krijuar në vitin 1918, ndaj një shteti si Armenia, i pranishëm në hartat politike të botës që në shekullin VI para Krishtit. Por kjo nuk ka shumë vlerë për një udhëheqës i cili ka një pikëpamje shumë të ndryshme për parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe që ka përsëritur vazhdimisht besimin se përdorimi i forcës është i drejtë.

Duket gjithashtu se, edhe deklarata e armëpushimit e nënshkruar më 9 nëntor 2020, nga presidentët e Rusisë, Azerbajxhanit dhe kryeministri i Armenisë, që i dha fund Luftës së Dytë të Karabakut, është interpretuar sipas këtij mendimi. Deklarata përmend një herë fjalën “korridor” dhe kjo bëhet në kontekstin e Korridorit të Laçinit, që lidh Armeninë me Nagorno-Karabakun. Megjithatë, kjo nuk i ka penguar aspak azerët që të ngatërrojnë dëshirën e tyre të flaktë, me realitetin, pra dëshirën për të pasur qasje në një "korridor" (me të drejtën e ekstraterritorialitetit) që lidh Azerbajxhanin Lindor me enklavën e tij Nakhijevan (dhe më e rëndësishmja, me Turqinë). Neni 9 i deklaratës së lartpërmendur, thotë:

“Të gjitha lidhjet ekonomike dhe transportuese në rajon, do të zhbllokohen. Republika e Armenisë do të garantojë sigurinë e lidhjeve të transportit midis rajoneve perëndimore të Republikës së Azerbajxhanit dhe Republikës Autonome Nakhchivan, në mënyrë që të mundësohet lëvizja e lirë e njerëzve, automjeteve dhe ngarkesave, në të dyja drejtimet. Shërbimi i Rojës Kufitare i Shërbimit Federal të Sigurisë Ruse do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen e lidhjeve të transportit.

Duke e shtrembëruar dhe keqinterpretuar këtë nen, Azerbajxhani, me përkrahjen e mbështetësit të tij  kryesor, Turqisë, ka kryer një politikë frikësimi dhe shantazhi kundër Armenisë. Natyrisht, kjo është arsyeja pse më 13 shtator 2022, në orën 00:05 me orën lokale, Azerbajxhani nisi një agresion ushtarak në shkallë të gjerë në disa drejtime, nga pjesa lindore e kufirit Armeni-Azerbajxhan. Forcat e armatosura të Azerbajxhanit, duke përdorur artileri të rëndë MRL dhe UAV, kanë nisur bombardimet në shkallë të gjerë të qyteteve Goris, Jermuk, Vardenis, Kapan, Sotk dhe fshatrave përreth. Në kohën e shkrimit të këtij artikulli, Azerbajxhani po vazhdon ende sulmet në tokën armene, duke shënjestruar jo vetëm infrastrukturën ushtarake, por edhe atë civile. 105 ushtarë armenë janë konfirmuar të vrarë, shumë të tjerë janë plagosur, 10 km katrorë territor i Armenisë është pushtuar nga Azerbajxhani. Mund të shtoj se dy nga djemtë e rinj që u vranë duke mbrojtur atdheun e tyre, janë nga Aragatsavani, një fshat pranë kufirit armeno-turk, ku gjyshërit e mi u shpërngulën në vitin 1953 dhe ku u rrit im atë (familja ime është me origjinë nga Erzurumi). Këto shifra mund të rriten për sa kohë që Azerbajxhani vazhdon agresionin. Harta e paraqitur tregon qartë se sulmet po ndodhin brenda Armenisë, në zonat lindore dhe juglindore të vendit.

Armenia është nën sulm! Sovraniteti i Armenisë po vihet në pikëpyetje! Armenia i ka bërë thirrje për herë të parë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për një takim urgjent. Rezultatet e këtij apo ndonjë diskutimi tjetër ndërkombëtar, nuk mund të paragjykohen, por unë nuk mund ta pranoj kurrsesi se Armenia ka marrë fund. Është e vërtetë se ushtarët heroikë të Armenisë janë e vetmja "pengesë" kundër pushtimit të Azerbajxhanit, por ka disa hapa që mund dhe duhet të ndërmerren nga komuniteti ndërkombëtar, për të ndaluar një luftë në shkallë të gjerë.

Para së gjithash, duhet të intensifikohen deklaratat e posaçme që dënojnë sulmin e Azerbajxhanit në territorin sovran të Armenisë (Shtetet e Bashkuara, Franca, Kanadaja, Qipro, Luksemburgu, dhe shumë të tjerë, si dhe anëtarët e Parlamentit Europian, kanë lëshuar deklarata që identifikojnë agresorin dhe kërkojnë ndërprerjen e menjëhershme të armiqësive). Çdo deklaratë tjetër që barazon agresorin me viktimën e tij, të gjitha llojet e "korrektësisë politike" që u bëjnë thirrje "të dyja palëve", vetëm sa i japin mundësi agresorit të veprojë pa u ndëshkuar dhe të shkaktojë edhe më shumë shkatërrim dhe vdekje. Së dyti, interesat thjesht ekonomike, nuk janë një justifikim i mjaftueshëm për të vazhduar "biznesin si zakonisht" me një shtet që është tallur me të drejtën ndërkombëtare, që po garon me diktaturat e tjera për nga shkelja e të drejtave të njeriut dhe që ka shfarosur çdo gjurmë të demokracisë. Prandaj, është e domosdoshme që të rishikohen me themel të gjitha llojet e komunikimit dhe marrëdhënieve me Bakun. Me rastin e 30-vjetorit të marrëdhënieve me disa vende të Europës, diplomatët e Azerbajxhanit nuk po flasin për vlerat e përbashkëta, por për burimet e veta energjetike dhe rëndësinë e tyre për Europën, veçanërisht në kohën e krizës energjetike. Po që kur qenka bërë nafta një vlerë? Pse Azerbajxhani duhet parë si një burim i besueshëm energjie për botën, kur lloji i regjimit të tij, sasia që ofron, dhe rruga (duke kaluar përmes Turqisë), nuk mund të konsiderohen aspak “të besueshme”?

Së treti, nëse thirrjet për të ndalur sulmet kundër Armenisë dështojnë dhe agresioni vazhdon, mbështetja për Armeninë duhet të rritet dhe të vendosen sanksione kundër Azerbajxhanit.

Pas fillimit të sulmeve ndaj Armenisë, një analist perëndimor shkroi i dëshpëruar se "një komb që u përball me gjenocid në vitin 1915, nuk mund të gjejë paqe as në vitin 2022". Kjo është e vërteta e trishtë dhe është gjithashtu e vërtetë se Azerbajxhani paraqet një kërcënim ekzistencial për Armeninë dhe Nagorno-Karabakhun, por unë nuk mund të pranoj idenë se nuk ka shpresë për paqe. Paqja duhet të imponohet dhe për ta arritur këtë, Armenia nuk duhet dhe nuk mund të veprojë e vetme. Hapat e lartpërmendur, nëse zbatohen vazhdimisht, mund të parandalojnë që armiqësitë të përshkallëzojnë në diçka më katastrofike, si një luftë në shkallë të gjerë. Por që kjo të ndodhë, nevojitet më shumë qëndrueshmëri, drejtësi dhe qëndrim parimor në mbarë botën, në nivele shumëpalëshe dhe dypalëshe. Në fakt, në të gjitha nivelet.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • rrofte Armenia e Madhe e Krishtere!: 16/09/2022 22:19

    Keto gjoja azere, jane ca fise turke qe s'kane pasur kurre shtet e komb te mirefillte. jane komplet te sajuar dhe artificiale. Armenise i takon i gjithe territori i azerbexhiasnit. Armenia ka qene vend shume i vjeter dhe i lashte dhe gjithashtu ka qene edhe perandori. Eshte nje nge vendet e para qe u be e krishtere dhe nje nga vendet qe ka pesuar dy dhe jo nje genocid nga tyrqit e ndyre...

    Përgjigju
    • Toni: 17/09/2022 08:42

      Armenia ishte aleate e Rusise dhe rreth vitit 2017 tentoi te bente nje ndryshim aleancash permes Nikola Pashinian. Nuk pranoi te binte dakort me Azerbajxhanin per nje paqe normale duke mbajtur vetem territoret e banuara nga Armenet ne Nagorno Karabakh sepse donte me shume dhe po merr te gjatin. Injorant ,te pangopur dhe megaloman. Me ngjajne me Palestinezet qe nuk pranuan ndarjen e palestines ne 48 dhe donin te zhduknin hebrenjte kurse tani luten qe Izraeli tu jape territoret qe kishin ne 67 qe eshte sa 2/3 e asaj qe i dha OKB ne 48.

  • Toni: 16/09/2022 16:55

    Ambasadori Armenise me qender ne Athine ka bere nje artikull patetik.Ishte Armenia qe pervec Nagorni Karabakut banuar nga Armenet kishte pushtuar 1/5 e Azerbajxhanit per rreth 20 vjet dhe kur Alijev i kerkonte paqe dhe kthimin vetem te territoreve jo Armene pati pergjigje arrogante nga Armenet qe nuk e kuptuan qe kohet dhe aleancat kishin ndryshuar qe nga vitet 90-92 kur pushtuan vrane masakruan e kryen genocid ndaj Azereve ne zonat jashte Nagorno Karabakut. Ambasadori paska kuptuar qe agresori nuk mund te barazohet me viktimen. Kjo e fundit me kujton qendrimin sadist e racist te qeverise Armene ndaj Kosoves dhe popullit armen ne rrjetet sociale ndaj Kosoves,Kosovarve e Shqiptarve ne pergjithsi. Aleati tyre Serbia i shet arme si perhere Azerbajxhanit dhe Armenise. Ta mbajne aleatin e tyre. Azerbajxhani ka njohur Kosoven. Cfare do ambasadori nga Shqiperia. Qenka kujtuar Armenia per parime .

    Përgjigju
  • gjin bua shpata: 16/09/2022 16:51

    Per te qene serioz duhet dhene edhe pikpamja e azerve ne kete rast. Shkrimi implikon edhe shtet tjeter qe ne kemi marredhenie preferenciale.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja