Presidenti sirian Bashar al Assad ka deklaruar se ka ndërmend të rimarrë nën kontroll “të gjithë vendin”. Në një intervistë të rrallë, Assad tha për agjencinë e lajmeve “AFP” se mposhtja e rebelëve mund të kërkojë pak kohë për shkak të përfshirjes së fuqive rajonale.

Deklarata e tij vjen pak pasi fuqitë botërore ranë dakord për të çuar përpara armëpushimin për një periudhë 1-javore.

Assad deklaroi se do të vazhdojë të luftojë terrorizmin paralelisht me gjithë proceset ndërkombëtare që do të zhvillohen për arritjen e paqes. Ai theksoi se, “forcat qeveritare do të vazhdojnë të përpiqen për të rimarrë të gjithë Sirinë, pa asnjë hezitim”.

“Por përfshirja në konflikt e fuqive rajonale do të thotë se zgjidhja do të kërkojë kohë dhe do të ketë një kosto të madhe”, tha Assad.

Presidenti sirian hodhi poshtë akuzat e bëra së fundmi nga Kombet e Bashkuara ndaj qeverisë së tij për krime lufte. Në një raport për Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, qeveria siriane akuzohet për krime lufte, por edhe rebelët nuk përjashtohen nga mundësia që të kenë kryer krime të tilla.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)