Irani ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se kanë shkelur memorandumin e mirëkuptimit, duke qenë se luftimet në Liban vazhdojnë, dhe ka njoftuar mbylljen e Ngushticës së Hormuzit. Lajmi u bë i ditur nga televizioni shtetëror, i cili citoi një deklaratë të Shtabit Qendror të Ushtrisë Iraniane, Khatam al-Anbiya Central Headquarters.
"Në përgjigje të shkeljes së pandërprerë dhe të vazhdueshme të armëpushimit nga regjimi sionist në Libanin jugor, të masakrës së pamëshirshme dhe shkatërrimit të qindra mijëra njerëzve të shtypur të kësaj toke, si dhe të mos tërheqjes së forcave pushtuese sioniste nga territoret e Libanit jugor", komanda "njofton se Ngushtica e Hormuzit do të mbyllet për kalimin e anijeve", raportoi televizioni.
Ushtria iraniane thotë se "kjo masë e parë përbën një përgjigje ndaj shkeljes së angazhimeve nga armiku dhe, në rast të vazhdimit të shkeljeve, do të pasojnë masa të tjera", paralajmëron deklarata.
Pas lajmit për mbylljen e Hormuzit, zëvendëspresidenti i SHBA-së, J. D. Vance, u shpreh i bindur se armëpushimi me Iranin mund të qëndrojë, duke deklaruar se nuk ka prova që Irani po e mbyll Ngushticën e Hormuzit. Në Fox News, Vance deklaroi se "gjërat po shkojnë mirë" dhe shtoi se Uashingtoni synon t'u japë një mundësi negociatave me Iranin.
Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, J. D. Vance, deklaroi të shtunën në një intervistë për Fox News se parashikon të udhëtojë së shpejti në Zvicër për bisedime me Iranin. "Parashikoj të nisem brenda disa ditësh", tha Vance, por pa specifikuar më shumë.
Edhe Irani konfirmoi se ekipi negociator i Republikës Islamike do të udhëtojë drejt Zvicrës. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme tha se udhëtimi synon të kërkojë dhe të ndjekë zbatimin e angazhimeve të palës tjetër, sepse kriteri kryesor për të vlerësuar çdo marrëveshje është faza e zbatimit të saj.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara janë të detyruara ta detyrojnë Izraelin të ndalojë sulmet ndaj Libanit dhe se, nëse SHBA refuzon të zbatojë angazhimet e saj, "ne do të përgjigjemi me masat e nevojshme".
Ministri i Jashtëm, Aragchi, do t’i bashkohet në Zvicër delegacionit amerikan të përbërë nga Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Lajmi në përditësim...
Komente



