“Nuk kishte asgjë më amerikane në Shqipëri këto dy javët e fundit, sesa protesta e të rinjve. Amerikane ishte rezistenca e tyre dhe kërkesa për llogaridhënie ndaj qeverisë. Amerikane ishte qëndrimi i opozitës që nuk lejoi talljen në parlament të mazhorancës dhe vendosi që kauza e qytetarëve të ishte çështja e ditës. Amerikane ishte qëndrimi i medias dhe i shoqërisë civile që me profesionalizëm dhe përkushtim pasqyruan ngjarjen nga fillimi deri në fund. Vetëm mendja e tij mund të guxojë të ndërtojë antiamerikanizëm me vlerat e vetë demokracisë amerikane.
Vetëm mendja e tij alogjike gjen armiq, kur në një anë del e thotë nuk kemi kapacitete për t’i marrë lëndët kimike, në anën tjetër kërkon fajtorë te protestuesit, te opozita, te media e lirë. Me arbitraritetin e tij si kryeministër, Edi Rama e ka fyer miqësinë e vjetër e të thellë të vendit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nuk e ka cënuar, nuk e ka dëmtuar e s’mund ta dëmtojë. Askush nuk ka forcë ta bëjë ketë. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të mbështetura në vlerat e bashkëndashme të demokracisë dhe kauzës për një botë më të sigurtë e më në paqe, ku ne luajmë e do të vazhdojmë të luajmë rolin tonë. Shqipëria është e do të mbetet vendi më proamerikan në Europë dhe kjo është vendosur në shpirtin e lirë, në shpirtin mirënjohës të një kombi të tërë”, tha Basha.
Po ashtu Basha ka deklaruar se të rinjtë, që ishin në krye të protestës qytetare kundër armëve kimike nga Siria, u dhanë një leksion të mirë të gjithëve.
“Kjo është një fitore e madhe e demokracisë, është një fitore e paçmuar e shoqërisë. E thashë të premten dhe dëshiroj ta përsëris sërish sot me krenari, se punën e madhe e bëri populli i bashkuar pa dallime politike, e bëri rinia, si forcë, si shpresë, si ëndërr dhe aspiratë demokratike e shëndetshme moderne dhe europiane.
Me këtë rast dua të shpreh edhe një herë, edhe në emrin tuaj, mirënjohjen, falënderimin dhe admirimin më të madh të gjithë të rinjve dhe të rejave, të gjithë qytetarëve shqiptarë që u bënë barrikadë e pakapërcyeshme e aventurës dhe ëndrrës së keqe të kryeministrit me armët kimike.
Si forcë politike, si opozita e vendit, kemi kënaqësinë të pohojmë sot se ishim në anën e duhur në këtë zhvillim historik, në anën e vlerave të demokracisë perëndimore euroamerikane, në anën e historisë sonë politike si parti e lirisë, në anën e transparencës, në anën e së drejtës së qytetarëve për tu pyetur e për të vendosur për çështje madhore të jetës dhe dinjitetit të tyre.
Ne bëmë detyrën tonë politike dhe institucionale. Dua t’ju falënderoj dhe t’ju përgëzoj të gjithëve për qëndrimet që keni mbajtur për këtë çështjen në aulën e Kuvendit dhe në aula të tjera të politik-bërjes dhe komunikimit me publikun”, u shpreh Basha.
Pas deklarimit të kryeministrit Edi Rama se Shqipëria nuk do të pranojë armët kimike të Asaadit, për t’i shkatërruar, “Shqiptarja.com” raportoi se brenda PD-së ka pasur përplasje për mënyrën se si Lulzim Basha u deklarua gjatë protestave, duke e etiketuar si një pozicionim kundër SHBA-ve.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)