TIRANE- Ish-kryeministri Sali Berisha ka reguar lidhur me arratisjen e 7 të burgosurve nga burgu i Drenovës ditën e djeshme. Në faqen e tij në rrejtin social “Facebook”, Berisha shkruan se “rendi dhe siguria janë në rënie të shpejtë, pasi të burgosurit u arratisën sikur të ishin në një hotel”.

Sipas Berishës, arratisja është bërë në bashkëpunim me eksponentët dhe strukturat qeveritare.

“Ky akt i pashembullt është produkt i bashkëpunimit të suksesshëm të këtij grupi vrasësish me eksponente dhe strukturat e reja qeveritare të interesuar apo detyruar për lirimin e tyre. Këtë fakton qartë armatosja e tyre në burgun e sigurisë më të lartë, largimi i tyre pa kurrfarë rezistence nga rojet e armatosura të rrethimit të burgut. Bandat që ndihmuan me para dhe dhunë ardhjen në pushtet të këtij koalicioni Rama - Meta, tani një nga një kërkojnë shpërblimin e tyre”, shkruan Berisha.

Më tej në reagimin e tij, ish-kryeministri e vlerëson arrestimin nga policia të 4 prej 7 të arratisurve si “një akt për t’u përshëndetur”, ndërsa shton se “dalja e ministrit të Brendshëm në media, demaskon atë si njeri të kapur dhe angazhuar në betejën e bandave që mbështesin atë me bandat rivale”.

berisha fb per te burgosurit

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)