Kryeministri Edi Rama komentoi arrestin e ish-kreut të SHISH-it, Vlora Hyseni. Rama tha se çështja duhet t’i lihet drejtësisë, ndërsa e cilësoi “të paparë në historinë e botës” atë që, sipas tij, i është bërë Shërbimit Informativ Shtetëror.
“Pse BE, pse Komisioni Europian, ngjarje që këtu trajtohen si arsye për të goditur dhe për të përhapur valë dëshpërimi, i shikon si arsye për ta konsideruar Shqipërinë një partner shumë serioz dhe një vend që aspiratat e veta i ka të lidhura me faktet e një përpjekjeje të përditshme në të gjitha aspektet dhe ndër këto aspekte, me provat e një lufte pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Duhet t’ia bëni këtë pyetjes vetes se ajo që këtu nga shumëkush mund të shikohet si regres, nga BE, nga Komisioni Europian shikohet si progres dhe për sa më takon, nuk është thjesht progres, është transformim. Ne jetojmë sot në një epokë vetë transformimi si kurrë ndonjëherë më parë nëse nuk e quajmë vetë transformim epokën kur Shqipëria u kthye në një vend të izoluar totalisht me pretendimin se ishte fari i komunizmit botëror. Kështu që për sa më takon, ne jemi më shumë se asnjëherë më parë në rrugën e duhur dhe siç e thashë dhe po ua përsëris dhe do t’ua përsëris sa herë të më jepet mundësia, deri dje korrupsioni ishte sistemi. Sot, për herë të parë, ky vend ka një sistem që ka fituar dhe fiton dita-ditës aftësi vetëkorrigjuese, vetë pastruese, pra ato antikorpe që i ka çdo sistem demokratik, falë ndarjes së pushteteve, ku çdo pushtet bën punën e vet.
Dhe përsa i takon informacioneve sensitive, kjo është një çështje që unë për veten time, mendoj se i duhet lënë gjykatës. Nuk i duhet lënë leximit sporadik të materialeve hetimore që nxirren për të bërë çorap opinionin publik, por i duhen lënë gjykatës. Procesi do të tregojë nëse ka apo nuk ka gjëra të cilat kanë cënuar çfarëdo qoftë në lidhje me sigurinë kombëtare apo me besueshmërinë që ka të bëjë me partnerët, por lajmi që kam për ju, është që një shqetësim i tillë që na vjen nga shpërndarësit dhe nga agjitatorët e materialeve të nxjerra rrugëve, nuk na ka ardhur deri tani nga asnjë partner. Asnjë partner! Dhe patjetër që kur fola për partner që kanë mbetur pa fjalë, fola për partnerët në sistemin e sigurisë. Nuk fola për aleatët politikë dhe gjeopolitikë të Shqipërisë. Fola për partnerët që kanë punuar dhe punojnë me shërbimin, pa fjalë, sepse ajo që i është bërë Shërbimit me atë metodë që u trajtua çështja, është e pa parë në historinë e botës, por është përsëri pjesë e një procesi. Kështu që unë nuk pres asgjë më shumë dhe asgjë më pak sesa prokurorët të bëjnë të patrazuar deri në fund punën e tyre, gjykata të bëjë e pandikuar punën e vet dhe në fund do dalë edhe rezultati", tha Rama.
Lajmi kryesor:
Arresti i Hysenit/ Rama: Kush tradhton, të përballet me drejtësinë, reforma s'ndalet! Von der Leyen: Hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, provë se sistemi funksionon









