Në konferencën e Kryetarëve nuk u ra dakord mes mazhorancës dhe opozitës për një debat për arrestimin e ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni. Gazment Bardhi tha se hetimi penal i takon drejtësisë, ndërsa Kuvendi ka përgjegjësinë të ushtrojë kontroll mbi ekzekutivin dhe institucionet, përfshirë SHISH-in. Ai tha se është e paimagjinueshme që mazhoranca bllokon debatin dhe i shmanget përgjegjësisë për sigurinë kombëtare.

“Dënoj bllokimin që mazhoranca i bëri kërkesës për debat. Është e paimagjinueshme që Kuvendi t’i shmanget përgjegjësisë në raport me sigurinë e Republikës së Shqipërisë. Kjo nuk është çështje e drejtësisë. Çështje e drejtësisë është të çojë pas hekurave dhe para përgjegjësisë ligjore cilindo që ka kryer këtë vepër penale. Kuvendi nuk e ka këtë kompetencë, por ka kompetencën e kontrollit mbi pushtetin ekzekutiv dhe institucionet, përfshirë edhe SHISH-in. Në kuadër të këtij funksioni, ka përgjegjësinë të diskutojë për një nga aktet më të paprecedenta në një vend demokratik.

S’kemi punë me hetimin e SPAK, veçse t’i lëmë të bëjnë punën e tyre, t’i nxisim ta çojnë punën deri në fund dhe t’i shkojnë këtij problemi në kokë. Koka nuk është Vlora Hyseni. Koka e kësaj afere, e kriminalizimit të institucioneve shtetërore dhe e përdorimit të institucioneve shtetërore si mekanizëm mbrojtës ndaj krimit të organizuar është padyshim Rama.”, tha Bardhi.


Lajmi kryesor:

PS i thotë ‘jo’ debatit në Kuvend për arrestin e ish-kreut të SHISH: Nuk dublikojmë prokurorinë! Bardhi: S’po pengojmë SPAK, Rama të na japë llogari! Kritika edhe për Von der Leyen (VIDEO)