
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me arrestimi e avokatit Ulian Bajrami, pas një debati me prokurorin e çështjes së tij.
Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se është i papranueshëm.
Ndërsa shton se ngjarje të tilla kërkojnë reflektim të thellë nga organet e qeverisjes së sistemit gjyqësor, KLP dhe KLGJ, në mënyrë që ato të mos shndërrohen në precedentë.
Në fund, demokrati shkruan se keqpërdorimi i urdhër-arresteve, na kujton të shkuarën.
Postimi i plotë:
Në një shtet të së drejtës, roli i avokatëve për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve është i pazëvëndësueshëm. Në këtë kuptim, arrestimi i një avokati, pas një debati të tensionuar me përfaqësuesit e organit të akuzës në sallën e gjyqit, është një ngjarje e papranueshme. Në një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian, akte të tilla janë tipare të qarta që Shqipëria po zhbën çdo standard të shtetit ligjor.
Ngjarje të tilla kërkojnë reflektim të thellë nga organet e qeverisjes së sistemit gjyqësor, KLP dhe KLGJ, në mënyrë që ato të mos shndërrohen në precedentë që ngushtojnë hapësirat profesionale të mbrojtjes efektive së avokatëve. Avokatët, ashtu si gjyqtarët dhe prokurorët, kanë një rol thelbësor në garantimin e procesit të rregullt gjyqësor dhe çdo cënim i aktivitetit të tyre profesional duhet të marrë përgjigje të shpejtë dhe adekuate nga organet kompetente.
Keqpërdorimi i urdhër-arresteve ndaj avokatëve që kërkojnë aplikimin e filtrave të ligjshmërisë qoftë nga Prokuroria, ashtu edhe nga Gjykata, në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore, na kujton të shkuarën aspak të lavdishme kur profesioni i avokatit u ndalua me ligj.
Lajmi kryesor:
Përplasja me prokurorin në seancë, lirohet nga qelia avokati Barjami! Prokuroria e Elbasanit: S’kishte arsye përse të mbahej i ndaluar (VIDEO)











