70 punonjësit e degës së OSHEE-së Krujë-Fushkrujë vijojnë në ditën e dytë të protestës duke mos ofruar asnjë shërbim të asnjë fushe në këtë zonë përpos familjareve me nevoja të veçanta.
Punonjësve të OSHEE-së u janë bashkuar edhe 70 punonjësit e OSSH (Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes) në mbështetje të tyre.
Situata e krijuar vjen si pasojë e arrestimeve të realizuara herë pas here dhe ngarkimit me përgjegjësi ligjore të punonjësve të OSHË-së për “shtëpitë e barit” të cilat përdorin lidhje të jashtëligjshme për kultivimin e kanabisit në ambiente të mbyllura.
Kujtojmë se ditën e djeshme, pas operacionit të zhvilluar në Krujë u arrestuan dy punonjës të OSHEE-së dhe u shpallën në kërkim dy të tjerë pas zbulimit dhe asgjësimit të 390 bimëve kanabis të gjetura në një bunker të ushtrisë në fshatin Halil të Krijës.
Arrestimi i Haki dhe Arlind Selimit, solli reagimin e punonjësve të OSHEE-së të cilët vendosën që të pezullojnë punën për një afat të pacaktuar duke kërkuar edhe mirëkuptimin e qytetarëve për situatën e krijuar. Ata pretendojnë se është e disata herë që bien pre e arrestimeve të policisë edhe pse nuk kanë lidhje me veprimtarinë kriminale të kultivimit të kanabisit.