SPAK ka reaguar zyrtarisht për arrestimin gjatë ditës së sotme në Durrës të Ergys Agasit dhe ish-policit Uljan Shpataraku.

Agasi ishte nën hetim nga SPAK për një sërë veprash penale, përfshirë konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, heqjen e paligjshme të lirisë, shkeljen e barazisë në tendera, grupin e strukturuar kriminal, pastrimin e parave dhe korrupsionin aktiv.

Në njoftim SPAK shkruan se Shpataraku u arrestua për ‘përkrahje të autorit të krimit’, pasi po lëvizte në automjet me të. Ndërkohë burime për Report Tv bëjnë të ditur se Policia ka ushtruar kontrolle në banesën e Shpatarakut, pas shoqërimit të tij në komisariat.

Njoftimi i SPAK:

Datë 26 Gusht 2026

Mbi arrestimin e personit të shpallur në kërkim, Ergys Agasi

Pas një pune disa javore në bashkëpunim të ngushtë me strukturat operacionale të specializuara të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, sot më datë 26.8.2026, u bë i mundur arrestimi i shtetasit Ergys Agasi, në hyrjen jugore qytetit të Durrësit, në zonën e Plepave, në autostradë. Në momentin e arrestimit ky shtetas shoqërohej nga shtetasi, U. Sh, ish punonjës policie, i cili është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” e parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vijon hetimet për procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025,  për të cilin, më datë 05.12.2025, ka regjistruar edhe emrin e shtetasit Ergys Agasi. Ky shtetas po hetohet për kryerjen e veprave penale: “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 244 paragrafi i dytë i K. Penal.

Ndaj personit nën hetim dhe konkretisht shtetasit Ergys Agasi, me vendimin nr. 125 datë 15.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës se Pare Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale. Vendimi i gjykatës është dërguar menjëherë për tu ekzekutuar nga strukturat e Policisë së Shtetit me shkresën nr. 43104 prot, dt.17.12.2025.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar falenderon Policinë e Shtetit për kryerjen me sukses të operacionit.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.


Lajmi kryesor:

DOSJA AKSHI/ Ergys Agasi arrestohet në Durrës, u ndoq për 40 km që nga Elbasani! Kapet në makinë me ish-policin në kërkim, i besuari i Ilir Prodës! VIDEO kur e prangosin