Mjekët e spitalit të Shkodrës janë ngritur në protestë duke kërkuar lirimin e kolegut të tyre Edi Smajlaj, i cili u arrestuar një ditë më parë.

Shefi i kardiologjisë së spitalit të Shkodrës u vu në pranga, pasi sipas policisë shtroi në spital pa asnjë motiv pedagogun e arrestuar Simon Lufi.

Mjekët e kanë cilësuar si absurd arrestimin e Smajlajt, pasi ky i fundit nuk është një individ me rrezikshmëri të lartë që të mbahet i arrestuar në komisariat. 

Në rast se Smajlaj nuk do lirohet nga prokuroria, atëherë mjekët e spitalit të Shkodrës kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestës së tyre.

Mbi 30 mjekë kanë firmosur një peticion ku kërkojnë lirimin e kolegut të tyre. Sipas policisë mjeku Edi Smalaj hapi kartelë pa motiv për pedagogun Simon Lufi, duke e shtruar atë në spital, nën argumentin se pedagogu ka probleme kardiake.

Dyshohet se shtrimi në spital u bë pa motiv për të favorizuar në gjykim Lufin.

Pedagogu Simon Lufi dhe kolegu i tij Roakin Dabërdaku, janë arrestuar nga policia për korrupsion, pasi u merrnin studentëve nga 200 deri në 700 euro për provime.

[gallery]19824[/gallery]

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com