TIRANË- Arrestimi i kryebashkiakut të Lushnjes, Fatos Tushe ka sjellë reagime nga radhët e krerëve të politikës, por edhe të diplomatëve të uaj në vendin tonë. I pari që reagoi ishte kryeministri Edi Rama, i cili tha se PS-ja nuk do t'i shërbejë si mburojë në përballjen e tij me drejtësinë.

Nga ana tjetër, një reagim ka pasur edhe nga ana e ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim. Ajo ka shkruar se çdo kush që ka bërë korrupsion, tani do duhet ta gjykojë nëse ia vlen për të shkuar pas hekurave!

Ndërsa kreu i PD-së, Lulzim Basha e cilëson fillim të mbarë arrestimet e SPAK teksa akuzon Tushen për lidhje me hakmarrjen në drejtësi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:59
Arrestimi i kryebashkiakut të Lushnjes, Basha: Fillim i mbarë

 

Kreu i PD-së, Lulzim Basha shprehet optimist te drejtësia e re teksa thotë se arrestimi i kryebashkiakut të Lushnjës Fatos Tushe është një fillim i mbarë. Në reagimin e tij, Basha hedh akuza edhe për lidhje të Tushen me kryeministrin Edi Rama dhe zv.kryeministri Erion Braçe.

"Arrestimi i Fatos Tushës pas denoncimeve shumëvjeçare nga PD të bashkëpunimit të tij korruptiv me krimin e organizuar, mund të jetë një fillim i mbarë. Por kjo do të varet nga aftësia, kuarajo dhe pavarësia e drejtësisë për të goditur lidhjet e pushtetit me krimin, lidhjet e Hakmarrjes për Drejtësi me Tushën, Braçen dhe vetë Ramën, dhe përfitimet e tyre të ndërsjellta në vite të gjata bashkëpunimi", shkruan Basha.

Ora 11:19
Arrestimi i kryebashkiakut të Lushnjes, Kim: Nëse jeni të përfshirë në korrupsion është koha për të shqyrtuar nëse ia vlen të shkosh në burg

Pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe, ambasadorja amerikane, Yuri Kim, reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale. Ajo u është drejtuar me mesazh të korruptuarve, duke thënë se është koha të ndalin ose në të kundërtën do të shkojnë në burg.

"Nëse jeni të përfshirë në korrupsion - pa marrë parasysh sa të fuqishëm mendoni se jeni - tani është koha të konsideroni ndikimin që veprimet tuaja do të kenë në familjen dhe vendin tuaj. Tani është koha të shqyrtojmë nëse ia vlen të shkosh në burg. Tani është koha për të ndaluar. Askush nuk është mbi ligjin", shkruan Kim. 

Postimi i Yuri Kim 
Ora 10:55
Arrestimi i kryebashkiakut të Lushnjes, Rama: Nga PS s'do ketë mbrojtje

"Nga PS nuk do ketë asnjë mbrojtje"! Është krye reagimi i kryeministrit Edi Rama lidhur me operacionin e SPAK ku në pranga ka rënë edhe kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe. Rama tha se ai do të duhet të përballet vetë me drejtësinë pasi PS nuk do bëhet "mburojë" e për interesat vetjake të një kryebashkiaku në rastin konkret.

"Kryetari i Bashkisë së Lushnjës dhe cilido tjetër i akuzuar nga drejtësia në këtë rast apo në çdo rast, nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste e duhet të përgjigjen vetë para drejtësisë, me avokatët e tyre e me gojën e tyre! PS u shërben zgjedhësve jo të zgjedhurve. Çdo zgjedhës duhet ta dijë se besnikëria jonë ndaj tij nuk varet nga asnjë individ, po është flamur beteje i PS për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë dhe çdo i zgjedhur nuk duhet ta harrojë se flamuri i PS s'mund të bëhet mbulesa e askujt, për asnjë interes apo faj vetjak", shkruan Rama. 

Fatos Tushe u arrestua ditën e sotme, pas një operacioni të SPAK të zhvilluar ditën e sotme, ku në pranga ranë dhe 10 bashkëpunëtorë të tij. Ky operacion u bë për tenderin abuziv për rehabilitimin e kanalit ujitës, me vlerë 24 mln lekë të reja.

Postimi i kryeministrit Edi Rama në Twitter