Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është përgjigjur shefit të diplomacisë së BE-së, Joseph Borrell, për deklaratën që ky i fundit bëri duke thënë se është i alarmuar nga arrestimi i paligjshëm i serbëve në Kosovë dhe stërvitja e FSK. Kurti thotë se arrestimi sotëm i serbit është bërë pasi ka pasur prova se ka qenë një ndër sulmuesit e forcave të KFOR më 29 maj. Ai hedh poshtë deklaratën e Borrell i cili i konsideroi arrestimet të paligjshëm, duke thënë se është bërë sipas ligjit të shtetit demokratik të Kosovës.
Ndërkohë, sa i përket Marshimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut, Kurti thotë që është një aktivitet rutinë, i planifikuar çdo vit, për të cilin ishte njoftuar edhe KFOR. Në fund, edhe përse nuk e ka përmendur Borrell, Kurti kujdeset t’i thotë që dezinformimi është i rrezikshëm dhe i papranueshëm dhe se ndez tensionet.
“Përhapja e panikut dhe pretendimeve të rreme vetëm ndez tensionet dhe ndihmon ata që kërkojnë t'i përshkallëzojnë ato. Një thirrje për të gjithë: ju lutemi konfirmoni burimet tuaja dhe prisni informacione zyrtare nga institucionet e Kosovës përpara se të vendosni të angazhoheni publikisht në transmetimin e lajmeve ose parashikimin e ngjarjeve.
Bazuar në provat e shumta dhe në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe të drejtat e procesit të rregullt ligjor, Policia ka arrestuar një person në Mitrovicë për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR në Zveçan më 29 maj.
Stërvitjet e sotme nga Regjimenti III i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicën e Jugut janë një aktivitet rutinë, i planifikuar çdo vit, për të cilin KFOR-i ishte plotësisht i informuar. Ai përbëhej nga 215 ushtarë që shkonin nga garnizoni "Minatori" në Frashër dhe ktheheshin. Dezinformimi është i rrezikshëm dhe i papranueshëm”, shkruan Kurti.
Lajmi kryesor: