Arrestimi në prill 2011 pas përplasjes me PS

Pa marrë veten nga atentati me eksploziv në banesën e tij, kandidati i Partisë Socialiste për minibashkinë nr. 7 në Tiranë, Erjon Koka, është përballur me një tjetër incident të rëndë. Ai është përplasur me Emiliano Shullazin, një nga eksponentët më të njohur për policinë kryeqytetase. I liruar për Krishtlindjet e vitit që lamë pas, pasi ishte dënuar me trafik droge, 32-vjeçari Shullazi ka përfunduar sërish në qeli. Këtë herë, ai është denoncuar nga Partia Socialiste për pengim të tyre për të zhvilluar takim me elektoratin e tyre.

Përplasja
Drejtoria e Policisë së Tiranës deklaroi zyrtarisht se nga dy deputetë të Partisë Socialiste, pikërisht Besnik Bare dhe Vasilika Hysi, është depozituar një kallëzim penal se rreth orës 18.30 të së enjtes ka ndodhur një incident në rrugën “Ylbere Bylykbashi”, në Tiranë. Sipas kallëzimit, incidenti ka ndodhur në ambientet e një lokali, ku po zhvillohej takimi elektoral i kandidatit për minibashkinë nr. 7 në Tiranë, Erjon Koka. Sipas policisë, autori dyshohet se ka penguar subjektin politik Partia Socialiste, duke hequr mikrofonin nga podiumi dhe njëkohësisht qendrën e zërit të vendosur në një lokal.

Arrestimi
“Sa më sipër, nga Shërbimet e Hetimit dhe të Parandalimit të Krimit të Komisariatit Nr. 2, u bë identifikimi, shpallja në kërkim dhe më pas kapja e autorit, i cili dyshohet të jetë shtetasi Emiljano Hajdar Shullazi, 32 vjeç, me banim në Tiranë”, deklaroi policia. Sipas të dhënave, Shullazi e ka kryer këtë veprim, kur po mblidheshin njerëzit, duke i kërcënuar dhe ofenduar që mos të bëjnë fushatë. Në këto kushte, policia e ka arrestuar, ndërkohë që në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës vazhdon puna për të sqaruar më tej rrethanat dhe motivet, për konsumim të veprës penale të “Pengimit të subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese”.

Shullazi
Emiljano Shullazi është një eksponent i njohur i policisë kryeqytetase, pasi e ka arrestuar edhe herë të tjera. Më 24 dhjetor të vitit 2010, ai u lirua nga burgu, pasi mbaroi dënimin prej më shumë se shtatë vitesh për trafik droge. Sipas vendimit të formës së prerë, Shullazi është dënuar së bashku me të pandehurin Ergys Ferhati për akuzën e “trafikimit të drogës” drejt shtetit italian, në bashkëpunim edhe me shtetasit e dënuar tashmë Erges Ymeraj, Erjon Gogaj, Selfo Driza dhe Lutfi Shabani. Nga vendimi, thuhet se Shullazi në bashkëpunim me të pandehurit e sipërcituar kanë trafikuar nga Shqipëria në Itali një sasi prej rreth 55.4 kg heroinë dhe 100 kg përzierës. Ai është dënuar më parë edhe për armëmbajtje pa leje. Ndërkaq, ka qenë i dyshuar për vepra të tjera penale, si dhe është shoqëruar në polici disa herë.

Kandidati
Por, shfaqja e Shullazit, duke dëmtuar kandidatin socialist, Erjon Koka, vjen vetëm pak ditë, pasi atij i bënë një atentat me eksploziv në banesë. Mëngjesin e 18 prillit, Erjon Koka u zgjua nga shpërthimi i tritolit që ishte vendosur në banesën e tij. Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk pati të dëmtuar, por vetëm dëme materiale, pavarësisht se djali i tij ishte shumë pak larg vendit të shpërthimit. Koka deklaroi atë ditë se nuk kishte asnjë konflikt personal dhe dyshimet për atentatin i hodhi për shkaqe politike, pavarësisht se deri më sot nuk është zbuluar autori i kësaj ngjarjeje të rëndë.

Burimi: Gazeta Shqip 23-4-2011

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar