Dy burra nga Cakrani i Fierit u arrestuan nga policia në një operacion të koduar "Koshovica" pasi kanë shantazhuar një grua duke i kërkuar vlera monetare dhe favore seksuale duke e kërcënuar se do t'i publikonin në rrjetet sociale disa foto të saj personale.
Aksioni u zhvillua nga efektivët e Fierit, në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pronës në Departamentin e Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, pas një hetimi disa javor me metoda speciale të hetimit.
U arrestuan në flagrancë G.M, 44 vjeç dhe J.Sh, 46 vjeç, të dy banues në Cakran.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata dyshohet se kanë shantazhuar dhe kërcënuar një grua duke i kërkuar para dhe favore seksuale me qëllim mos publikimin në rrjetet sociale të disa fotove personale të saj.
Të arrestuarit akuzohen për veprën penale "Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë" e kryer në bashkëpunim.
Ata do të hetohen nga Prokuroria për Krimet e Rënda Tiranë.