TIRANË, 13 shkurt/ATSH-Z.Tosku/-Tre ish-zyrtarë të Drejtorisë së Prokurorimeve Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë janë ndaluar ditën e sotme nga policia pas urdhër-ndalimeve të lëshuar nga Prokuroria e Tiranës, e cila i akuzon ata për falsifikim për qëllim përfitimi.
Sipas njoftimit për shtyp, të ndaluarit janë Kol Kukaj, ish-shef i Sektorit të Prokurimeve, Agim Hysko, ish specialist i Sektorit te Prokurimeve dhe Besjana Martini, ish-juriste e Sektorit të Prokurimeve.
Sipas prokurorisë tre ish-zyrtarët Kol Kukaj, Agim Hysko dhe Besjana Martini kanë rritur koston e projektit të kamerave të sigurisë në Tiranë me 75.8 milionë lekë mbi koston fillestare.
Po ashtu, nga hetimi i prokurorisë rezulton se anëtarët e Komisionit të Negocimit të realizimit të procedurës për "Instalim i sallës operative dhe sistemit të kamerave të qytetit të Tiranës", me  fondin prej 165.000.000 lekësh, të vëna ne dispozicion të Policisë së Shtetit nga buxheti i shtetit", të arrestuarit kanë kryer procedura fiktive.
Sipas të dhënave të përftuara nga hetimi, rezulton se pasi janë kryer instalimet e nevojshme, anëtarët e Komisionit kanë hapur procedurat e prokurimit publik. Pra, krijohen dyshimet e arsyeshme se procedura e prokurimit publik në këtë rast është tërësisht fiktive, pasi tenderi është realizuar pasi kishte përfunduar marrja e shërbimit./a.g/