Gjatë një operacioni të policisë greke në Athinë, u arrit të shkatërrohej një organizatë kriminale që merrej me grabitje të dhunshme.

Tre shqiptarë janë vënë në pranga duke zbardhur plotësisht grabitjen me armë të 17 pikave karburanti dhe shtatë dyqaneve. Kurse tre të tjerë janë shpallur në kërkim dhe mendohet se kanë arritur të arratisen në Shqipëri.

Në pranga ranë Marjan Ndoci, i Dedës dhe Lules, 23 vjeç, Krisard Pusi i Nikolës dhe Zoit, 19 vjeç dhe Eduard Ulndreaj i Gjinit dhe Lenës, 29 vjeç. Kurse në kërkim është shpallur vëllai i Krisardit, Pëllumb Pusi, 26 vjeç.

Grabisnin pika karburanti dhe dyqane e trofetë e “punës” së tyre i nxirrnin në Facebook. Arrestimet u kryen në Nea Halkidhona dhe Sepoli.

Të arrestuarve iu gjetën disa lloj armatimesh, mes tyre automatikë, pistoleta, bomba, si dhe mjetet e “punës”, maska, të cilat i shihni në foton e materialeve të sekuestruara si prova. Po ashtu u janë sekuestruar dhe tre makina, dy prej të cilave rezultuan të vjedhura.