Autoritetet italiane kanë arrestuar një menaxher të kompanisë amerikane të ndërtimit Caddell Construction, i dyshuar për shfrytëzim të fuqisë punëtore në kantierin e ndërtimit të konsullatës së re të SHBA-së në Milano, një projekt me vlerë rreth 200 milionë dollarë.

Sipas prokurorisë së Milanos, shtetasi turk Ulas Demir, përgjegjës i degës italiane të kompanisë, u ndalua në aeroportin e Bergamos teksa po përpiqej të largohej drejt Stambollit. Prokurori Paolo Storari argumentoi se ekzistonte një “rrezik konkret, i qartë dhe i menjëhershëm arratisjeje”.

Demir, 47 vjeç, po hetohet për ndërmjetësim të paligjshëm të fuqisë punëtore dhe shfrytëzim të punëtorëve. Sipas hetuesve, ai kishte blerë biletën për në Turqi më 30 maj, vetëm një ditë pasi autoritetet italiane vendosën administrimin e përkohshëm të kompanisë.

Në dosjen hetimore përfshihet edhe një bisedë telefonike e zhvilluar më 29 maj mes Demirit dhe një personi të paidentifikuar, i cili sipas prokurorëve mund të jetë një epror i tij. Në bisedë diskutohej mundësia që Demir të largohej nga Italia me justifikimin e pushimeve.

Hetimi i prokurorisë së Milanos ka zbuluar se qindra punëtorë indianë janë rekrutuar përmes agjencive ndërmjetëse dhe janë sjellë në Itali për të punuar në ndërtimin e konsullatës amerikane. Sipas akuzave, ata janë përballur me paga shumë të ulëta, orare të gjata pune dhe kushte të rënda shfrytëzimi.

Gjatë kontrolleve të kryera në kantier më 29 maj, autoritetet konstatuan shkelje të shumta të rregullave të sigurisë në punë. Punëtorët e intervistuar nga hetuesit konfirmuan ekzistencën e një sistemi shfrytëzues, kërcënimesh dhe kushte që prokuroria i cilëson “të turpshme”.

Sipas akuzës, punëtorët detyroheshin të punonin me orare që shkelin legjislacionin italian për pushimet dhe kohën e punës, ndërsa pagat e tyre ishin shumë më të ulëta se standardet e përcaktuara nga kontratat kolektive dhe Kushtetuta italiane.

Hetimi i zhvilluar nga prokurorët Paolo Storari dhe Mauro Clerici, në bashkëpunim me karabinierët e njësisë së punës, zbuloi se disa punëtorë përfitonin realisht vetëm rreth 2 euro në orë.

Mbi 30 punëtorë indianë janë marrë në pyetje si dëshmitarë. Njëri prej tyre deklaroi se merrte 1.500 euro në muaj, por 500 euro i zbriteshin për strehimin dhe 300 euro për ushqimin. Punëtorët, sipas dëshmive, paguanin deri në 5.000 euro për të siguruar ardhjen në Itali, ndërsa pasi mbërrinin përballeshin me kushte krejt ndryshe nga ato që u ishin premtuar.

Sipas prokurorisë, ata punonin gjashtë ditë në javë, mesatarisht 10 orë në ditë, me paga që në teori varionin nga 800 deri në 1.400 euro në muaj, por pas zbritjeve u mbeteshin shpesh pak më shumë se 600 euro.

Dëshmitarët kanë përshkruar gjithashtu një klimë frike dhe abuzimi në kantier. Sipas tyre, fyerjet dhe kërcënimet ishin të përditshme, ndërsa disa punëtorë raportuan edhe episode dhune fizike.

“Na thoshin se nëse nuk pranonim kushtet do të na kthenin në Indi”, deklaroi një prej punëtorëve. Një tjetër dëshmoi se shefi i turnit e fyente vazhdimisht dhe e kërcënonte gjatë orarit të punës.

Prokurorët e përshkruajnë situatën si një “jetë kantieri të ashpër dhe pa asnjë ndjeshmëri njerëzore”, ku edhe punëtorët e sëmurë detyroheshin të paraqiteshin në punë ose humbnin pagesën ditore.