TORONTO – Shqiptaro-amerikani Kujtim Lika 44 vjeç i njohur si “Timmy”, një nga personat më të kërkuar nga FBI, është arrestuar sot në Toronto të Kanadasë. "Timmy" kërkohej jo vetëm në SHBA, por edhe në pesë shtete të Europës: Holandë, Shqipëri, Maqedoni, Serbi dhe Kosovë.

Timmy u arrestua nga policia pak pasi kishte dalë nga apartamenti ku jetonte. Ai pritet të dalë para gjykatës dhe më pas t’i nënshtrohet procedurave për ekstradim.
I shumë kërkuari, Kujtim Lika është një nga krerët e grupit mafioz të drejtuar nga Myfit Dika. Ai është një nga 26 anëtarët e një rrjeti kriminal që akuzohen për trafik droge, trafik armësh, pastrim parash dhe grabitje të pronës. Lika është anëtari i fundit i bandës që arrestohet.

Myfit Dika
Dika është arrestuar në Toronto në janar të vitit 2010 dhe ende nuk është ekstraduar për në SHBA. Policia sekuestrojë një Bently, 500 mijë dollarë kesh, 30 mijë pilula ekstaze, 2.5 kg heroinë, armë dhe dy aeroplanë kur shkatërroi rrjetin kriminal që në një rast u përpoq të fuste në SHBA 100 kg kokainë.

Historia e këtij grupi është shfaqur në një nga emisionet televizive më popullore në SHBA, “Personi më i kërkuar në Amerikë”.

(rd/shqiptarja.com)