Elvis Kelmendi, i biri i bosit shqiptar të drogës Naser Kelmendi me origjinë nga Peja, është arrestuar së bashku me dy shoqëruesit e tij në Bosnje-Hercegovinë. Gjatë aksionit të koduar ‘REZ’, u vunë në pranga në total 7 persona në Sarajevë dhe akuzohen për disa vepra kriminale si trafik të lëndëve narkotike dhe krim të organizuar.
Të gjithë të arrestuarit janë identifikuar si: Elvis Kelmendi, 44 vjeç, Slobodan Tomanić, 51 vjeç, Harun Babić, 22 vjeç, Anel Sejfovic, 35 vjeç, Ajlin Ahmić, 38 vjeç, Amer Pehlić, 38 vjeç dhe Armin Kulashević, 38 vjeç.
Të dyshuarit vepronin si grup i organizuar kriminal, me role dhe detyra të ndara. Ata shisnin sasi të mëdha të drogave narkotike në tregun ilegal të drogës në Sarajevë dhe qytete të tjera të Bosnje-Hercegovinës.
Po ashtu, në kuadër të hetimeve, po hetohen edhe paratë e fituara me veprimtari të paligjshme.
Ndonëse Naser Kelmendi, me origjinë nga Kosova është përmendur si një nga tregtarët më të mëdhenj të drogës në Ballkan, vetë ai e ka mohuar gjithmonë këtë. Së bashku me 3 djemtë e tij, është futur edhe në listën e zezë të SHBA.
Para disa vitesh, Policia e Serbisë e ka cilësuar si organizator dhe financues kryesor të trafikut të heroinës, që nga Turqia dhe Shqipëria arrin në Pejë dhe më pastaj, përmes Rozhajës, në Novi Pazar dhe nga aty në Evropën Perëndimore.
Elvis Kelmendi