Një efektiv i Policisë Rrugore është arrestuar në Turqi pasi është kapur me drogë. Në pranga ka rënë Florenc Bicerri, 27 vjeç. Për arsye që nuk dihen, së fundmi, polici u përfshi në trafikun ndërkombëtar të drogës. Florenc Bicerri u arrestua në Turqi me rreth 30 kg drogë, bashkë me Kujtim Çelikun, edhe ky një ish-oficer ushtrie, me karrierë të gjatë dhe Adrian Qiricin.

27-vjeçari Bicerri udhëtoi drejt Turqisë përmes aeroportit të Rinasit në datën 5 tetor të këtij viti. Prej asaj dite, Komisariati i Policisë Rrugore nisi një hetim disiplinor për të dhe procedurën e largimit nga puna, pasi nuk u paraqit në detyrë, duke mos qenë në dijeni se ai ishte nisur drejt Turqisë me synim shitjen e sasive të konsiderushme të lëndëve narkotike. Në ditët e fundit autoritetet turke njoftuan ato shqiptare se tre persona u arrestuan në një parking me sasi droge, njëri prej tyre ishte Florenci.

Për rastin kanë nisur menjëherë hetimet, ndërsa me urdhër të kryepolicit Muhamet Rrumbullaku, 27-vjeçari Bicerri u përjashtua përgjithmonë nga Policia e Shtetit. E përfshirë në hetime është edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila, përveç rastit të policit, pritet të hetoj me imtësi edhe punonjësit e doganës dhe policisë në Rinas që kanë qenë prezent në punë në datën 5 tetor, të cilët lejuan kalimin e Bicerrit me sasi droge. AMP dhe policia kanë dyshime edhe të përfshirjes së personave të tjerë në trafikun e dorgës, por janë të rezervuar në detaje.

Kujtim Çeliku, personi tjetër i arrestuar në Turqi me policing 27-vjeçar, rezulton të ketë qenë oficer i ushtrisë në repartin e forcave speciale “Komando”. Oficeri, para vitin 2011, ka kryer pesë misione paqeruajtëse në Irak e Afganistan. Ai u arrestua para 11 vitesh pasi kërkohej për grabitjen e një biznesmeni në Durrës. Ndaj Çelikut, në atë kohë, kishte një urdhër-ndalimi pasi në bashkëpunim me tre persona të tjerë grabitën një biznesmen, i cili merrej me tregti floriri. Atij i vodhën çantën me 176 unaza floriri, me një vlerë prej 30 milionë lekësh. Pas arrestimit, Çelikut, gjatë kontrollit në banesë, në Mullet të Tiranës, iu gjetën municione dhe kallëpe tritoli, që i mbante pa leje.

 

Florenc Bicerri

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:00
Vodhi 176 unaza floriri në Durrës, kush është ‘Komando’ që u kap me policin e ‘Rrugores’ në Turqi! Ishte në 5 misione në Irak dhe Afganistan

Kujtim Çeliku, i arrestuar në Turqi bashkë me efektivin e Policisë Rrugore Florenc Bicerri, nuk është emër i panjohur për organet e drejtësisë. Ai më herët ka qenë oficer i ushtrisë në repartin e forcave speciale “Komando”, ndërsa në 2011-ën u arrestua për grabitje. Oficeri që kishte kryer 5 misione paqeruajtëse në Irak e Afganistan, përfundoi në pranga, pasi kërkohej për grabitjen e një biznesmeni në Durrës.

Ndaj Çelikut kishte një urdhër-ndalimi nga Prokuroria e Durrësit në atë kohë pasi në bashkëpunim me 3 persona të tjerë kanë grabitur një biznesmen, i cili merrej me tregti floriri. Atij i vodhën çantën me 176 unaza floriri, me një vlerë prej 30 milionë lekësh. Pas arrestimit, Çelikut gjatë kontrollit në banesë, në Mullet të Tiranës, u gjetën municione dhe kallëpe tritoli, që i mbante pa leje.

Ngjarja për të cilën akuzohet dhe ishte shpallur në kërkim Kujtim Çeliku, ka ndodhur më 29 maj 2011, rreth orës 14:15, pranë tregut industrial, në lagjen nr.17, të qytetit të Durrësit. Grabitja e një sasie floriri, 176 unaza, me vlerë 30 milionë lekë, bëri që dy persona të vihen në pranga dhe dy të tjerë të shpalleshin në kërkim. Fillimisht, u arrestuan në flagrancë Ermal Sallaku, 22 vjeç dhe Florjand Hida, 23 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Për këtë ngjarje, Policia e Durrësit shpalli në kërkim edhe Kujtim Çelikun, 33 vjeç dhe Elton Ruçin, 31 vjeç. Sipas Policisë, katër të dyshuarit kishin kohë që po planifikonin grabitjen, dhe sasia e floririt të grabitur ishte menduar të rifutej në treg te disa tregtarë të tjerë floriri, po në qytetin e Durrësit. Ata kishin bërë një vëzhgim të detajuar të lëvizjeve të biznesmenit të floririt, që nga momenti që ai dilte nga banesa e tij, e deri në kohën kur futej në dyqanin ku tregtonte floririn.

Më 29 maj, të dyshuarit kanë zbatuar një plan duke mundur të grabisin një çantë me bizhuteri nga bagazhi i automjetit tip “Benz” me targë DR 9195 C. Nga ndërhyrja e një qytetari dhe një efektivi policie, të ndodhur në vendin e ngjarjes rastësisht, është bërë e mundur kapja e njërit prej autorëve dhe më pas është arrestuar edhe i dyti.

Ora 12:42
U arrestua me drogë në Turqi, efektivi përjashtohet përgjithmonë nga Policia e Shtetit

1665566491_rrumbullak.jpg

Policia e Shtetit ka përjashtuar përgjithmonë nga radhët e policisë, efektivin Florenc Bicerri që u kap me drogë në Turqi.

"Në lidhje me një rast të trafikimit të lëndëve narkotike, të goditur nga autoritetet turke ju sqarojmë se: Policia e Shtetit, në bashkëpunim me homologët turq, në lidhje me një rast trafikimi të lëndëve narkotike, në të cilin janë të përfshirë 3 shtetas shqiptarë, njëri prej tyre punonjës policie, ka ngritur një grup të dedikuar hetimor, për hetimin e rastit. Sqarojmë se punonjësi i Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, shtetasi Florenc Bicerri, tashmë i arrestuar në Turqi, ka dalë nga Shqipëria, nëpërmjet Rinasit, më datë  05.10.2022. Për këtë punonjës policie, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar përjashtimin e menjëhershëm dhe përgjithmonë, nga Policia e Shtetit. Ndërkohë, grupi i dedikuar hetimor, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe me homologët turq, po vijon punën për zbardhjen e rrethaneve të rastit, evidentimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë rast të trafikimit të lëndëve narkotike", njofton Policia. 

Ora 12:03
Del FOTO, ja kush është polici shqiptar i arrestuar në Turqi për trafik droge

1665914605_bicerr.jpg

Efektivi i Policisë Rrugore, Florenc Bicerri është arrestuar në Turqi pasi u kapën me një sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike në një parking në Turqi. Report Tv ka siguruar foton e policit Bicerri.