MITROVICE- Marko Knezhevic, i njohur me nofkën 'Drug Crni', nga rrethina e Beogradit, që dyshohet të jetë spiun i Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë serbe (BIA), është arrestuar nga policia.

Ai është vënë në pranga  të mërkurën pasdite (29 maj) në banesën ku ka jetuar për disa vite, e cila ndodhet në rrugën 'Vllado Cetkovic' në veri të Mitrovicës.

Burime nga KosovaPress, thonë se i arrestuari është bashkëpunëtor i ngushtë i ish drejtorit të BIA-s, Aleksandar Vulin.

Po ashtu, këto burime, bëjnë të ditur se i dyshuari gjatë kohës sa ka qëndruar në territorin e Republikës së Kosovës ka përdorur dokumentacion të rrejshëm të një personi me nacionalitet serb, tashmë të vdekur, nga fshati Frashër (Svinjare) të Mitrovicës.

Në banesë Marko Knezhevicit i janë gjetur dhe konfiskuar letërnjoftimi i tij zyrtar që dëshmon se është pjesëtar i MUP-it të Serbisë, disa dokumente tjera po ashtu të MUP-it, si dhe disa laptopë.