Në letër, fuqitë botërore kanë arritur një marrëveshje 1 javore për t’i dhënë fund konfliktit 5 vjeçar në Siri. Pas bisedimeve në Mynih të Gjermanisë, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, së bashku me homologët e tij nga Rusia dhe Evropa njoftuan se kanë rënë dakort për një armëpushim. 

Shefi i diplomacisë amerikane njoftoi se kjo marrëveshje nuk vlen për dy grupet ekstremiste Shtetin Islamik dhe al-Nusra.

Një tjetër pikë e rëndësishme e këtij takimi ishte dhe dërgimi i ndihmave në zonat që janë të bllokuara nga lufta. Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry ka pranuar se plani i armëpushimit ishte ambicioz, ndërsa theksoi se testi i vërtetë do të jetë zbatimi i tij. 

Një grup pune i kryesuar nga SHBA-të dhe Rusia do të punojnë për të zbatuar armëpushimin me anë të konsultimeve me grupet rivale opozitare të qeverisë së Sirisë. Edhe shefi i diplomacisë ruse Sergei Lavrov tha se ishte bërë një punë e madhe. 

Njoftimi vjen në një kohë kur ushtria siriane, të mbështetur nga sulmet ajrore ruse, ka bërë përparime në provincën Aleppo. Po ashtu qeveria siriane nuk i është përgjigjur ende marrëveshjes, ndërsa grupi kryesor i rebelëve e përshëndeti.

Më shumë se 250,000 njerëz janë vrarë dhe 13.5 milionë të zhvendosur në pothuajse pesë vjet të luftimeve në Siri.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)