Sipas kësaj të fundit, Shqipëria jo vetëm do të unifikoje tekstet me Kosovën, por do të nisë një epoke të re për kurikulat e arsimit parauniversitar. Së pari ky sistem do të ndryshojë formë me pesë klasa fillore, katër, 9-vjeçare e 3 gjimnaze dhe së dyti transformim kurikulave.
Marrëveshja
Kjo marrëveshje nuk parashikon më mësime mekanike përmendesh të teksteve, por më shumë pjesëmarrje të nxënësve përmes praktikës. Kryeministri Edi Rama i pranishëm gjatë firmosjes së marrëveshjes tha se nuk mund të ketë kufij mes një kombi, për sa i përket bashkëpunimit, ndërsa sfidë, sipas tij, mbetet unifikimi me Evropën. “Kjo e fut këtë ditë në historinë e zhvillimit të arsimit, dita kur u vendos guri i themelit të bashkimit të arsimit mes dy vendeve.
Kjo mundësi e artë për të bashkuar forcat drejt evropianizimit të arsimit tonë si frymë dhe standard. Hapat nuk janë lëvizje drejt bashkimit mekanik këtej dhe andej kufirit, por një ecje e përbashkët për atë që duam nesër për gjeneratën e re. Lëvizja për unifikim do sjellë hapjen e shumë kantiereve të punës së përbashkët për lëndët mësimore”, tha kryeministri Rama. Nga ana tjetër për ministren e Arsimit kjo marrëveshje është një bashkim historik mes dy vendeve.
“Studenti i Kosovës, kudo qoftë, mund të jetë i lirë të jetë nxënës i shkollës shqiptare dhe anasjelltas. Gjithashtu, nxënësit tanë do të mund të ndjekin shkollat në BE, sepse kurrikula e unifikuar është zyrtare e Bashkimit Evropian”, deklaroi ministrja Lindita Nikolla. Për ministrin e Arsimit në Kosovë, Ramë Buja kjo është marrëveshja më kuptimplotë dhe e realizuar për kombin. “Nuk ka një marrëveshje më kuptimplotë e të realizuar për kombin. Është e parëndësishme se kush ka marrë më shumë nga kush, kurrikula e Kosovës nga ajo e Shqipërisë apo anasjelltas. E rëndësishme është që jemi bashkë”, deklaroi ministri kosovar, Ramë Buja.
Investimet
Gjuha shqipe dhe përfshirja e politikes në debatet për ndryshimin e saj, kanë qene në qendër të fjalës së kryeministrit Edi Rama. Ai bëri publike edhe një marrëveshje që do të bëhet së shpejti me “Google” për epokën dixhitale. “Në ditët në vijim, ne, besoj, do të përfundojmë një marrëveshje me Google-in dhe do të jetë Google që do të marrë përsipër shtrimin e të gjithë ‘autostradës dixhitale’ të sistemit tonë arsimor” ka pohuar Rama. Sipas marrëveshjes, në shtator nis edhe zbatimi në shkolla i unifikimit dhe modernizimit të teksteve. Ai është konceptuar jo si një bashkim mekanik, por unifikim i njëkohshëm me metodologjinë evropiane të arsimit parauniversitar.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 4 qershor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)