TIRANE - Rreth 30% e mësuesve të arsimit parashkollor nuk kanë arsimin e lartë. Kjo është ajo që u bë e ditur sot nga Gerti Janaqi, Drejtor i Insitutit të Zhvillimit Arsimor (IZHA) i ftuar në studion e televizionit A1 Report për të diskutuar lidhur me sigurinë dhe cilësinë e arsimit parashkollor.
 
Gjatë fjalës së tij Janaqi u shpreh se një nga problemet që ka sot arsimi parashkollor ka të bëjë me numrin e mësuesve të cilët nuk kanë arsimin përkatës, duke shtuar se në planet e qeverisë është pikërisht krijimi i kriterit të që mësuesit duhet të kenë arsimin përkatës. Gjithashtu Janaqi, tha se MAS ka ndërmarrë iniciativën edhe të krijimit të në databaze, deri më tani inekzistente.

“Të gjitha reformat që ne kemi ndërmarrë ka nevojë për infrastrukturë më të mirë. Në këtë prizëm MAS me iniciativën e ministres Nikolla, po ndërmerr dy hapa të rëndësishëm. E para krijimi i një databaze. Ndërsa hapi i dytë është diagnostifikimi i profilit të ccdo mësuesi. Nga të dhënat e MAS 70% e mësuesve kanë arsim të lartë ndërsa 30% jo. Argumenti i mungesës së kuadrit ka bërë të mundur edhe punësimin e mësuesve pa arsimin përkatës. Duhet të vendosim një kriter ligjshmërie që mësuesit duhet të kenë arsmin përkatës.” tha Janaqi

Duke folur më tej, drejtori i IZHA, u shpreh se një problem tjetër që ka parashkollori është mos implememtimi i mirë i programeve në tekste. Lidhur me këtë Janaqi theksoi se ka nisur puna për krijimin e programeve sipas fushave të të nxënit, ndërsa nënvizoi se ky është një proces që është parashikuar të zgjasë 3-4 vjet.

“Kjo është një nga problemet më të mëdha që ka parashkollori. Ccdo kurrikul nuk është përkthyer mirë në tekste, pra nuk është implementuar në mënyrën e duhur. Programet ndahen sipas fushës së të nxënit. Janë të përshtatura me nivelin e fëmijëve dhe vetëm pas përfundimit të programeve mund të themi që kemi tekste të mirëfillta. Ky është një proces që nuk zgjidhet me 1 apo 2 muaj por ne kemi parashikuar 3-4 vite.” nënvizoi Janaqi

i ftuar ne studio
(Në foto: Gerti Janaqi, i ftuar në studion e televizionit A1 Report)

I pyetur lidhur me deklaratën e dhënë sot nga ana e Bankës Botërore se do të mbështesë reformën në arsim që ka për synim edhe rritjen e cilësisë dhe të performancës, Janaqi, tha se qeveria shqiptare është në një nivel dialogimi me BB, por se nisur nga bashkëbisedimi i sotshëm, siç theksoi Janaqi, sinjalet janë pozitive.

“Banka Botërore paraqiti një gjendje të rezultateve të fëmijëve tanë, të mënyrës për hir të vërtetës Banka ka ndërtuar një model të ngjashëm për të gjithë rajonin e Evropës Juglindore. Ne jemi në një nivel dialogimi. Sot ishte një bashkëbisedim shumë i suksesshëm. Shpresoj që Banka të afrohet për invetimin e arsimit parauniversitar dhe parashkollor, të paktën këto ishin sinjalet e sotshme.” tha ai

I pyetur lidhur me reformën në arsimin e lartë, drejtori i IZHA, bëri të ditur se ajo është mbështetur si nga opinioni publik ashtu edhe nga ndërkombëtarët. Po ashtu Janaqi vlerësoi si shumë të rëndësishme edhe marrëveshjen për një kurrikul të përbashkët arsimore mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“Nga homologët tanë dhe nga opinioni publik u përshëndet reforma në arsimin e lartë. Po ashtu falë marrëveshjes me Kosovën tashmë kemi një kurrikul, të përbashkët me shtetin kosovar.” tha Janaqi

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)