Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla në konferencën mbi Reformën e Sistemit Arsimor Parauniversitar për kurrikulat e përbashkëta Foto Florian Abazaj
I Përditësuar
Tiranë, 3 Korrik/ATSH-Z.Tosku-Në konferencën mbi Reformën e Sistemit Arsimor Parauniversitar e zhvilluar në Akademinë e Arteve ditën e enjte, Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla, prezantoi raportin paraprak  të grupit të punës, pas konsultimeve me mësues, pedagogë, menaxherë arsimorë dhe studiues të arsimit nga vendi dhe Kosova.
Sipas Nikollës, modeli i ri i kurrikulave të përbashkëta midis Shqipërisë dhe Kosovës do të sjellë përshtatje me brez e ri. "Reforma e Sistemit Arsimor Parauniversitar do të sjellë ndryshime që përmirësojnë cilësinë e arritjeve, efikasitetin në përdorimin e burimeve, me përparësi në dy drejtime kryesore: kulturën e re të nxënies dhe menaxhimin efikas të burimeve", u shpreh Ministrja e MAS.
Për ministren Nikolla, dhënia e statusit kandidat për Shqipërinë vijoi dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe rëndësisë së modelit të ri europian për kurrikulat e përbashkëta të Sistemit Arsimor paraunveristar që do të aplikohet mes dy vendeve.
Sipas Nikollës, kurrikulat e dy vendeve plotësojnë kornizën e bashkpunimit të dy vendeve, duke e konsideruar kurrikulën si proçes në të cilën kjo reformë do të nxisë njohuri të reja, shpirtin sipërmarrës, tekste të reja shkollore apo dixhitale apo të shtypura. Duke u ndalur tek profili i nxënësit, profil i cili do krijohet falë modelit të ri të kurrikulave, Ministrja u shpreh se "me këtë qasje pritet që nxënësi të komunikojë, të mendojë në mënyrë krijuese, të krahasueshme me profilet e nxënësve evropianë". Ky model shtoi ajo , promovon konceptin e nxënies në kontekstin kurrikular, trajtimin e situatave mësimore, kapacitetin për të përdorur efektivisht njohuritë, menaxhimin elastik të kohës, punën në grup të mësuesve të së njëjtës fushë duke evidentuar sfidat dhe strategjitë e përbashkëta. "Mënyra e re e konceptimit synon të sigurojë kushte të reja jo vetëm në transmetimin e dijeve por edhe në plotësimin e nevojave të nxënsve dhe mësuesve", tha Nikolla.
/y.pa/