Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka dalë në konferencë për shtyp në prag të përballjes së kthimit çerekfinale ndaj Sportingut të Lisbonës në Champions League, duke theksuar ambiciet e mëdha të skuadrës së tij.

Pas fitores minimale 0-1 në ndeshjen e parë në Portugali, londinezët janë pranë një kualifikimi të rëndësishëm, por Arteta kërkon përqendrim maksimal nga lojtarët e tij.

“Po përpiqemi të bëjmë diçka historike për klubin, të fitojmë si kampionatin ashtu edhe Champions League. Kjo tregon nivelin e vështirësisë, por edhe ambicien që kemi”, deklaroi tekniku spanjoll.

Arsenali mbetet gjithashtu në garë të fortë për Premier League, një trofe që klubi nuk e fiton prej më shumë se dy dekadash.

“Jemi në një pozicion shumë të mirë dhe e dimë sa e rëndësishme është kjo për klubin”, shtoi ai.

Sa i përket ndeshjes ndaj Sportingut, Arteta kërkon guxim dhe besim nga skuadra.

“Dua të shoh lojtarë pa frikë. Kjo është thelbësore në ndeshje të tilla”, vijoi ai.

Në analizën e kundërshtarit, ai paralajmëroi një sfidë të vështirë.

“Sportingu është një ekip shumë dominues. Ne jemi përgatitur për këtë dhe do të bëjmë gjithçka që duhet për të fituar dhe për të kaluar më tej", tha mes të tjerash Arteta.

Sot në orën 21:00 në 'Emirates' luhet Arsenal - Sporting, me vendasit më të avantazhuar për shkak të fitores në ndeshjen e parë.


Lajmi kryesor:

Champions League/ Sot dy çerekfinalet e kthimit, Bayern Munich në avantazh kundër Real Madridit! Arsenalit i mjafton barazimi në Londër