Piktori i njohur shqiptar, Kujtim Buza, është ndarë nga jeta mbrëmjen e së enjtes duke lënë në trishtim familjen, miqtë, të njohurit dhe gjithë dashamirësit e artit të tij.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja shprehet se Buza ishte piktor, studiues dhe një prej emrave të rëndësishëm të artit pamor shqiptar.
Kujtim Buza i përkiste një familjeje që është e lidhur pazgjidhshmërisht me historinë e artit tonë. Bir i Abdurrahim Buzës, një prej themeluesve dhe mjeshtërve të pikturës moderne shqiptare, ai u rrit pranë artit dhe e vijoi këtë trashëgimi me rrugëtimin e vet krijues, duke ndërtuar një profil dhe një kontribut të spikatur në jetën artistike të vendit.
“Nga studioja ku dikur pikturonte pranë të atit, te krijimtaria e tij shumëvjeçare, drejtimi i Galerisë Kombëtare të Arteve dhe angazhimi në jetën kulturore të vendit, Kujtim Buza i kushtoi artit një jetë të tërë. Veprat e tij, të pranishme edhe në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, janë pjesë e një trashëgimie që pasuron kujtesën tonë kulturore”, shkruan Gonxhja teksa ka shprehur ngushëllimet familjes Buza, të afërmve, miqve, kolegëve dhe gjithë komunitetit të artistëve.
Komente
Komento