Artisti italian, 3 vjet përgatitje
për të ekspozuar në Shqipëri

“Arti i tij nuk është i lidhur me të shkuarën, por nis me të, padiskutim një mbështetje kulturore tepër solide për të krijuar një gjuhë ndjellëse dhe poetike, e cila falë karakteristikave të saj, lejon prekjen e temave më të ndjera dhe delikate të shpirtit njerëzor, deri te misteret, të cilat nisin nga mitologjia antike, dhe karakterizojnë besimin e krishterë”. Kështu e përkufizon artin e piktorit dhe skulptorit italian, Giovani Bonardi, kuratori Anselmo Villata.

Artisti italian Bonardi, përgjatë këtyre ditëve prezanton ekspozitën “Shenjat e ngjyrave” në Muzeun Historik Kombëtar. Gjatë një bisede me të, artisti na tregon se ka 3 vjet që e planifikonte udhëtimin për në Shqipëri, derisa bashkëpunëtori i tij, Ilir Bime, bëri të mundur që ai të vinte. Në ekspozitë gjenden vepra të realizuara gjatë 3 viteve të fundit, enkas për ekspozitën “Shenjat e ngjyrave”.

Shumica prej tyre kanë në qendër figura antropologjike, dhe kanë si qëllim që të transmetojnë vetëm ndjenja pozitive. Zotërimi i teknikës së piktorit, sipas kuratorit Anselmo Villata-s, i bashkëngjitet një shije estetike e padiskutueshme, e cila shoqërohet nga një interes i gjallë i rrënjëve të tij artistike, të cilin e dëshmon më së miri afrimi i tij, si restaurues dhe natyrisht, si artist.

Dashuria për gjithë këtë pasuri që vjen nga e kaluara e ka bërë Bonardin, që ta bëjë objekt studimi, jo vetëm për të ruajtur këtë pasuri me vlera të paçmuara, por edhe për të mbledhur esencën. Prandaj për të kapur detajet më të hollësishme dhe për t’i rikuperuar, në gjuhën e tij, gjuhë e cila nuk do që të largohet nga rrënjët e saj, por që kërkon të jetë përherë shprehi vetjake e një njeriu, i cili jeton dhe ndodhet në kohën e tij.

Zoti Bonardi, përse “Shenjat e ngjyrave”?  

Kam dashur që të prezantoj idenë e ngjyrës, e cila nuk është ngjyrë. Titulli i ekspozitës është “Shenjat e ngjyrave”, sepse me këtë nënkuptoj se ngjyra është, dhe nuk është. Kam pak vështirësi që t’i bëjë gjërat me shumë ngjyra. Është ndjesia ime që çdo gjë të jetë pak monokrom, vetëm me një ton.

3 vjet përpjekje për të ardhur në Shqipëri, vetëm për të prezantuar pikturat e viteve të fundit... Përse kjo përzgjedhje?

Artisti është i prirur të konsiderojë më shumë veprat e bëra së fundmi. Unë pikturoj qysh kur isha 14 vjeç, prandaj kam shumë piktura e skulptura, të cilat i kam bërë gjatë viteve. Të fundit, janë ato që i konsideroj si më interesantet, sepse janë pjesë e këtij udhëtimi. Vitet e fundit kam realizuar vepra posaçërisht për këtë ekspozitë. Për shembull, skulpturat janë të gjitha të viteve të fundit, por kam dhe disa vepra që janë të 2011-ës, të bëra posaçërisht për t’i sjellë këtu.

Portreti njerëzor është në qendër të veprave tuaja, por më tej duket sikur preket nga figura mitike...

Prezenca e religjionit, jo vetëm e atij kristian, por e religjionit në përgjithësi, ku vendoset njeriu në qendër të jetës, në këto vepra shpreh shenja të ndryshme. Një shikim njerëzor përfaqëson qiellin, ndërsa imazhet e njollave të vogla pranë përfaqësojnë yjet. Ka gjithnjë nga këto figura te veprat e mia, një figurë njerëzore përfaqëson diçka tjetër. Ky kërkim mbi figuracionin e bën njeriun të japë një tjetër realitet, një kërkim më shpirtëror.

Në ekspozitë shikojmë punime me të njëjtin temë. Përse u rikthehesh tematikave të njëjta?

Jam i lidhur shumë me natyrën dhe me religjionin. Prandaj edhe “Pylli i shenjtë” është shumë i përsëritur, sepse përfaqëson një vend misterioz ku ruhet forca e entitetit. Kjo është arsyeja që i rikthehem së njëjtës temë.

Ngjasojnë me studimet e Da Vinçit para se të bënte një vepër...

Është pak e veçantë kjo, mbase jo për Da Vinçin, por unë në përgjithësi bëj dizajnime të vogla, bocete, të cilat gradualisht vijnë në përmasa më të mëdha. 9 punimet në letër që unë po i prezantoj në MHK, janë zmadhime të boceteve të vogla, që i kam bërë në mënyrë spontane, me ngjyra të ndryshme. Përpos kësaj është më e lehtë që këto vepra t’i transportojë nga një vend në tjetrin, sepse palosen.

Artisti italian në Shqipëri vjen për herë të parë, pas Tiranës, në Sarandë dhe Gjirokastër.

Çfarë dinit më parë për Shqipërinë? 

Miku im Iliri, më ka thënë shumë për Shqipërinë, por kam studiuar historinë dhe di se në periudhën e fashizmit kishim një lidhje. Kam parë filma me shqiptarët dhe italianët, që thoshin se hanë tartaruge. Më pëlqeu shumë sheshi në qendër.

Nga Tirana çfarë u pëlqeu? 

Teatri, xhamia, kisha ortodokse që janë vendosur pranë njëra-tjetrës. Unë mendoj se ky është moment i forcës së Shqipërisë, një lloj rilindjeje.

Italia, priti shumë artistë shqiptarë... A keni raporte me ndonjërin prej tyre?

Në qytetin ku jam unë, në vitin 1990 erdhën 700 shqiptarë. Ata qëndruan në një kazermë të vogël për ca kohë, disa prej tyre studiuan dhe për art. Më vonë kanë qenë edhe pjesë e ekspozitave atje, por unë e kam të vështirë që të kujtojë emrat e tyre.

Biografi 

Giovani Bonardi ka lindur dhe jeton në Villanova Monferrato, provincë e qytetit të Aleksandria-s. Ka frekuentuar Liceun Artistik dhe Akademinë e Arteve të Bukura të Brera-s në Milano. Më pas ka studiuar për të përvetësuar teknikat e pikturës dhe skulpturës në afreske, mozaik, dru dhe në gjuhët multimediale. Thelbësor është dhe formimi me kontaktin, dhe me të shprehurin e kulturave të së shkuarës dhe asaj bashkëkohore. Ky artist vepron në fushën e artit jo vetëm në pikturë dhe skulpturë, por edhe në rikuperimin dhe restaurimin e veprave të ndryshme artistike. Për veprat e tij kanë shkruar: Paolo Levi, Mario Guderzio, Giovanna Berbero, Clizia Orlando, Edoardo di Mauro, Piergiorio Panelli, Carlo Pesce, Vittorio Sgarbi, Anselmo Villata.

Ekspozita personale (vitet e fundit)

2012 Barcellona Centro Italiana di Cultura

2012 Casale Monferrato Castello

2012 Padova Arte in Fiera

2013 Conzano (Alessandria( centro culturale S. Biagio)

2013 Alba (Cuneo (centro culturale S. Giuseppe Fiere

2012 Genova Arte Genova

2013 Milano Affordable Art Fair Milano

artsti italian


Marrë nga Shekulli 

Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen