Kryetari i degës së Shkodrës, Arvit Osja shprehet se "PD po na shfaq sigurinë e humbjes e po ashtu edhe justifikimin".
“Opozita çuditërisht, si asnjëherë më parë, po e thotë me zë e me figurë se do të humbasë zgjedhjet e qershorit. Po na e thotë përditë, madje po na tregon se nuk do të njohë rezultatin. Kjo është e dukshme si drita e diellit. Kërkon votim elektronik, si kusht për të njohur rezultatin zgjedhor, sepse e di që kushdo që të kishte shumicën parlamentare, në 5 muaj nuk të mund të implementonte sistem zgjedhor elektronik, edhe sikur gjithë paratë e shtetit të mos na duheshin për asgjë e t’i përdornim për këtë sistem”- thotë Osja.
Sipas kreut të PS-së në bashkinë e Shkodrës, PD e vendos këtë kusht me sigurinë e plotë që nuk do t’i plotësohet.
“PD po vendos një kusht të tillë duke e ditur se është i pa realizueshëm, e në këtë mënyrë e ka gati justifikimin për humbjen e zgjedhjeve”- thotë Arvit Osja.
Sipas tij, PD është mbyllur në zyrë duke krijuar alibitë dhe nuk po bën opozitë në terren.
“Po harxhon kaq shumë energji opozita në përgatitjen e këtij justifikimi, sa ka harruar të fshijë pluhrat në ato pak zyra rajonale që janë kyçur prej kohësh. PD në zyra, duke ndërtuar alibi. PS dhe e majta në terren pranë qytetarëve për tu shërbyer dhe për tu merituar besimin që do të na rikonfirmojnë në 18 qershor”- përfundon Osja.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com