Me të njëjtin qëndrim si Sali Berisha, edhe Partia e Lirisë foli për protestues paqësore dhe dhunë ndaj tyre, duke fshehur sulmet me molotovë të grupeve të militantëve që lanë të lënduar 6 efektivë në detyrë. Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi tha të hënën se qeveria mund të rrëzohet vetëm përmes protestave të pandalshme.

Deklarata e plotë e Tedi Blushit 

"22 Marsi i Demokracisë u shndërrua mbrëmë në një ditë triumfi të Lirisë, në ditën e përballjes me Narkodiktaturën e Edi Ramës, që ka humbur çdo legjitimitet shteteror, politik dhe njerëzor duke u identifikuar qartë dhe diskredituar para gjithë botës si një regjim policor, i inkriminuar dhe kleptokratik,  armik i lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor, por edhe i pluralizmit politik dhe demokracisë. Mijëra shqiptarë nga Tirana dhe të katër anët e vendit u ngritën mbrëmë në këmbë me guxim e kurajë për të shpallur fundin e një sistemi të kalbur që mbahet në këmbë vetëm nga krimi dhe terrori shtetëror policor. Mirënjohje të thellë për çdo qytetar që i dha një goditje të fortë pushtetit të degraduar të Edi Ramës, duke dëshmuar se ky popull nuk e pranon kurrë si normalitet korrupsionin, varfërinë, padrejtësinë dhe mashtrimin e përditshëm. Shqiptarët janë gati për çdo sakrificë dhe për të paguar çdo çmim për Lirinë, për të çliruar Shqipërinë nga një organizatë kriminale që me korrupsionin dhe inkriminin e saj ka bllokuar jo vetëm integrimin europian, por ka marrë peng edhe të ardhmen e vendit. Partia e Lirisë dënon me forcën më të madhe dhunën kriminale të ushtruar ndaj protestuesve paqësorë, rrëmbimet e turpshme të qytetarëve dhe minorenëve, si dhe agresionin e organizuar ndaj liderit të opozitës, Prof. Dr. Sali Berisha dhe deputetëve të opozitës. Mediat më prestigjioze botërore kanë përcjellë masivisht situatën shumë të rëndë që ndodhi dje në protest, akte kriminale të një Narkodiktature që ka hyrë në fazën më të errët, ku ligji është zëvendësuar nga dhuna ndërsa shteti nga një organizatë kriminale. Ky terror i hapur është prova më e qartë e panikut që ka kapluar Edi Ramën dhe klikën e tij. Një pushtet që trembet nga qytetarët e vet është një pushtet i rrëzuar, destinacioni i të cilit është vetëm fundi dhe shkërmoqja nën këmbët e sovranit. Mijëra shqiptarë nga mbarë vendi treguan dje se populli është gati të marrë në duar fatet e tij, për të rikthyer lirinë dhe dinjitetin e nëpërkëmbur dhe për të ndërtuar një të ardhme të lirë nga frika dhe padrejtësia. Vijimi i protestave të pandalshme domosdoshmëri jetike për të ardhmen europiane të vendit, e cila mbahet peng nga Edi Rama dhe struktura kriminale që ka marrë peng të gjithë shtetin, që ka deformuar vullnetin e qytetarëve dhe vijon të mbajë pushtetin përmes dhunës, korrupsionit, frikës dhe propagandës. Me një regjim që nuk dëgjon, nuk reflekton dhe që çdo ditë thellon paligjshmërinë dhe grabitjen ndaj qytetarëve, përballja është e vetmja rrugë. Vetëm përmes qëndresës paqësore, të bashkuar dhe të pandalur, mund të rikthehet liria dhe demokracia e vërtetë në Shqipëri. Partia e Lirisë, e cila eshte sot forca poltike me e agresuar e Narkoregjimit, Presidenti i se ciles, Ilir Meta, vijon te qendroje i burgosur politik pa asnje prove dhe fakt penal kunder tij, eshte më e vendosur se kurrë për çdo sakrificë, për të paguar çdo çmim, derisa t’i shkurtojë ditët e fundit një pushteti të ngritur mbi krimin, korrupsionin dhe vjedhjen e vullnetit të shqiptarëve"