Përgjegjësi, punë dhe përkushtim është kërkesa e Edi Ramës për socialistët, në një moment kur Shqipëria synon të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Para Asamblesë socialiste, Rama tha se Shqipëria ndodhet më afër se kurrë takimit të shumëpritur dhe kërkon mobilizim të plotë të PS.

“Mësimi i parë i arritjes te ky rekomandim historik është se një vend me probleme dhe një vend pa perspektivë janë dy gjëra krejt të ndryshme. Shqipëria e sotme ka një perspektivë më konkrete se kurrë dhe ndodhet më afër se kurrë takimit të shumëpritur me historinë. Mos harroni se kemi marrë një votë plebishitare me këtë kërkesë. Ju kujtohet kur gjithë këto grykët që nxirrnin nga bulçitë mediatike fjalët e kundërta ndaj nesh gjatë fushatës, thoshin për çfarë i duhet këtij një mbështetje më e madhe? Do të bëhet si Putini, si Erdogani? Përfytyroni sikur populli shqiptar të ishte aq i mangët sa këta dhe mos të na jepnin mandatin që na dha. Ne sot do të ishim pengje, nuk do të kalonim dot ligjet për shumicën që morëm. Atë shumicë e kemi marrë për Shqipërinë në BE. Është përgjegjësi historike që duhet ta ndiejë individualisht secili për të qenë atje në pjesën e tij të frontit, aktiv. Të gjitha forca e PS duhet të mobilizohen. I gjithë gjaku i organizmit të kësaj partie duhet të vlojë, sepse ne na ka rënë barra, por na është shkruar dhe fati që të gjendemi në këtë pjesë të historisë, ta përgatisim atë takim kur Shqipëria të jetë pjesë e Europës dhe Europa të flasë zyrtarisht edhe gjuhën e vjetër shqipe. Është përgjegjësi konkrete për të ulur kokën, për të komunikuar papushim, për të mbështetur pa u lodhur njerëzit, komunitetet që na e kanë dhënë ne këtë privilegj dhe që nesër të kemi mundësi të shohim me krenari të shkuarën dhe të themi isha edhe unë kur ndodhi ngjarja më e madhe e historisë së Shqipërisë. Është ajo që është përpara dhe varet nga ne në radhë të parë ta sjellim atë në kohë. Shqipëria s’mund të ndalet asnjë minutë”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Asambleja e PS/ Rama: Absurdi i drejtësisë, Veliaj në burg pa gjyq, po s’na lënë ta zëvendësojmë! Nuk e mbrojta Ballukun, hetimet s’u cenuan