Asambleja, Xhafaj: Në 100 ditë
pastrojmë policinë nga krimi

Asambleja, Xhafaj: Në 100 ditë<br />pastrojmë policinë nga krimi
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka prezantuar përpara anëtarëve të Asamblesë socialiste objektivat e dikasterit të tij në 100 ditë e para të qeverisë “Rama 2”. Xhafaj u shpreh se nisja e Vettingut në polici është kryefjalë e këtij 100 ditëshi me synim spastrimin e elementëve kriminalë nga radhët e policisë së shtetit. Paralelisht, tha Xhafaj, do vijojë puna e bluve për sekuestrimin e pasurive të paligjshme të krimit të krimit të organizuar.
 
“Nisja e Vettingut në polici do të jetë pika kyçe, për të pasur një polici me standarde evropiane dhe të përkushtuar ndaj shërbimit qytetar. Kërkojmë një qeveri të lidhur me qytetarët. Do të krijojmë një marrëdhënie më të mirë mes qytetarëve dhe policisë. Do të jemi të fokusuar tek parandalimi i dhunës në familje. Lufta kundër krimi të organizuara do të mbete sfida kyçe. Kryeministri që në gushte e ka përcaktuar si një prioritet të punës së qeverisë. Shumë shpejt do të kemi një raport zyrtar i monitorimit ndërkombëtar për luftën kundër kanabisit do të jetë publik. Kemi dy muaj që po punojmë, me partnerët SHBA, BE dhe disa nga vendet anëtarë të BE të përfshira në këtë proces. Do të punojmë për ngritjen e strukturave për goditjen e paligjshmërisë, bllokimin dhe sekuestrimin e aseteve kriminale”, u shpreh Xhafaj duke sulmuar opozitën se gjatë viteve kur ishte në pushtet bashkëjetoi me krimin dhe drejtësinë e kalbur.  
 
“Ka një dallim thelbësor mes nesh dhe atyre, ata që krimin e kthyen në bashkëjetesë me drejtësinë e kalbur, drejtësinë e vunë në dispozicion të grupeve kriminale, kanabisit e vunë në mbrojtje të shtetit dhe sot e përdorin si përbaltje ndaj shtetit, policisë dhe neve që udhëhoqëm procesin e reformimit të drejtësisë për ta ndarë nga krimi, ne që kemi vullnetin dhe jemi të aftë ta zbatojmë këtë reformim dhe për ta çuar drejtësinë në vendin që meriton”, tha Xhafaj.
 
Ministri i Brendshëm tha gjithashtu se do vijojë puna për menaxhimin e kufirit për parandalimin e azilkërkuesve në vendet e BE. “Kemi punë për të bërë për menaxhimin e kufirit që mbetet prioriteti ynë, për azilkërkimin dhe trafikun e qenieve njerëzore. Do të përmirësojmë masat e regjimit të kontrollit në kufi, në pikat e kalimit kufitar portual dhe në aeroportin e Rinasit, do të bëjnë lehtësime për shërbimet ndaj qytetarëve dhe si nevojë për prezantimin më të mirë të vendit për vizitorët dhe turistët e huaj”- tha Xhafaj.

Fjala e plotë e ministrit Xhafaj në Asamblenë e Partisë Socialiste: 

Në reflektim dhe zbatim të Programit Qeverisës, kemi përcaktuar prioritetet, objektivat dhe masat kyçe të konkretizuara në një plan-veprimi të detajuar. Dokumenti, i hartuar pas një procesi të gjatë konsultimi dhe asistence me partnerët ndërkombëtar, do prezantohet më gjerësisht në ditët në vijim.

Por cilat janë disa nga prioritet dhe masat më kryesore të këtyre 100 ditëve të para të qeverisjes?

Së pari, përgatitja e kuadrit ligjor dhe rregullator për nisjen e procesit të Vetting-ut në radhët e Policisë, për të thelluar procesin e reformimit të kësaj organizate si domosdoshmëri për të pasur një polici me standarde europiane, për të pasur në radhët e saj njerëz me integritet, të aftë profesionalisht dhe të përkushtuar në shërbimin ndaj qytarit. Së dyti, përforcimi i Policimit në Komunitet përmes një marrëdhënieje të re të Policisë me qytetarët, komunitetin dhe organet e qeverisjes vendore (duke forcuar në këtë kontekst në mënyrë të veçantë këtu rolin e Prefektit). Dhe përmes ngritjes së strukturave gjithëpërfshirëse të sigurisë në komunitet (si domosdoshmëri për rritjen e sigurisë publike nga njëra anë, dhe për kontrollin më të mirë të territorit nga ana tjetër), struktura të cilat do jenë gjerësisht të mirëpërcaktuara në një strategji kombëtare të Policimit në Komunitet. Përmes këtij policimi në komunitet , përmes kësaj marrëdhënieje të re të krijuar mes Policisë – qytetarëve – organe të qeverisjes vendore, ne synojmë ndër të tjera forcimin e aspektit parandalues në luftën kundër krimit. Me fokus të veçantë parandalimin e dhunës në familje tek gratë dhe fëmijët, si dhe parandalimin e krimit tek të miturit dhe të rinjtë duke forcuar më tej sidomos përfshirjen e aksesit të drogës në shkolla dhe ndër të rinjtë.
 
Së treti, lufta kundër krimit të organizuar mbetet sfida kyç për të gjithë mandatin qeverisës, por në këto 100 ditë do të shohë një sërë hapash të rëndësishëm që do të hedhin bazat për një proces shumë më mirë të organizua dhe efecient. Kryeministri, që në muajin gusht, e ka përcaktuar këtë si një prioritet të rëndësishëm të punës së qeverisë. Partnerët ndërkombëtarë edhe gjatë gjithë kësaj periudhe kanë gjetur rastin ta ritheksojnë gjithashtu këtë prioritet të fortë të shpallur nga kryeministri i vendit. Ne kemi për detyrë dhe jemi duke bërë një proces përgatitor të rëndësishëm në ndërmarrjen e hapave të tilla. Dhe shumë shpejt një raport zyrtar i monitorimit ndërkombëtar për luftën kundër kanabisit do të jetë publik, si konfirmim i një përpjekjeje të gjatë në vite për ta hequr Shqipërinë nga harta e vendeve që kultivojnë kanabis. Kjo është faza e parë e një procesi.

Për të vazhduar më tek me luftën kundër grupeve kriminale që merren me kultivimin dhe veçanërisht trafikimin e kanabisit dhe narkotikëve në përgjithësi. E gjitha kjo përmes një strategjie dhe planveprimi të qartë, të shoqëruar edhe me një operacion të mirëorganizuar të Policisë së Shtetit në ndërthurje me të gjitha agjencitë ligjzbatuese në vend. Kemi jo pak, por rreth dy muaj që po punojmë për këtë, në një proces të plotë konsultimi dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian dhe disa nga vendet e BE të përfshira në këtë proces). Shumë shpejt do ta bëjmë publike të gjithë këtë strategji dhe planveprimin që do ta shoqërojë. Janë një tërësi masash që synojnë së pari përmirësim cilësor të ligjit për Policinë Gjyqësore. Së dyti riorganizim rrënjësor të sistemit të hetimit në Policinë e Shteti. Dhe së treti, ngritjen e strukturave të posaçme ndërinstitucionale që do të angazhohen në nivel qendror dhe vendor, për goditjen e paligjshmërisë, bllokimin dhe sekuestrimin e aseteve që rrjedhin nga aktivitetet kriminale.
 
Së katërti, çështjet e menaxhimit më të mirë të kufirit mbeten prioriteti ynë si domosdoshmëri për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, parandalimin e fenomenit të azilkërkimit dhe emigracionit të paligjshëm. Gjatë këtyre 100 ditëve do të përmirësojmë masat e regjimit të kontrollit në kufi për këto fenomene.
Do të bëjmë ndryshime cilësore në Pikat e Kalimit Kufitar – sidomos në Aeroportin e Rinasit dhe në zonat kryesore portuale. Për një shërbim shumë më të mirë ndaj qytetarëve që i përfitojnë këto shërbime, për të lehtësuar më tej lëvizjen e mallrave dhe mjeteve, por edhe si një nevojë për një prezantim më të mirë të vendit përballë vizitorëve dhe turistëve të huaj.
Në përfundim, duke thënë sa më sipër dhe duke shprehur një pjesë të masave dhe objektivave ku do të fokusohemi në këto 100 ditë, dua të nënvizoj se ka një dallim thelbësor ndërmjet nesh dhe atyre.
Ata  që krimin e kthyer në bashkëjetesë me drejtësinë e kalbur. Drejtësinë e vunë në dispozicion të grupeve kriminale. Kanabisin e vunë në mbrojtje të shtetit dhe sot e përdorin si përbaltje ndaj kundërshtarëve politikë, shtetit, Policisë dhe imazhit të vendit.
Dhe Ne – që udhëhoqëm procesin e Reformimit të Drejtësisë për ta ndarë atë nga krimi dhe për ta kthyer në forcën goditëse dhe ndëshkuese ndaj krimit. Ne që kemi vullnetin dhe jemi të aftë e të fortë ta zbatojmë këtë reformim të sistemit, për ta çuar Drejtësinë në vendin që meriton.
Unë besoj fort se në muaj në vijim ne do të flasim të gjithë bashkë më shumë për drejtësinë në veprim, për forcën e vërtetë të ligjit, për autoritetin real të shtetit edhe në fushën e luftës kundër krimit dhe grupeve kriminale në veçanti.



Redaksia Online
l.q/D.T/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Basha pyet Berishën: Nëse me Ramën nuk ka zgjedhje, pse bëre pazar për amnistinë dhe mbylljen e listave?!

Basha pyet Berishën: Nëse me Ramën nuk ka zgjedhje, pse bëre pazar për amnistinë dhe mbylljen e listave?!