Në vijim të operacionit anti-drogë, gjatë kontrolleve me dron dhe forca policore në terren, u zbuluan dhe asgjësuan 290 bimë kanabis të kultivuara në fshatin Dilbnisht të Milotit.
Policia identifikoi dhe arrestoi autorin e dyshuar Genc Gjetani 45 vjeç nga Laç ndërsa në hetim në gjendje të lirë u vunë kryeplaku i fshatit dhe inspektori i pyjeve për shpërdorim detyre pasi kanë përgjegjësi të raportojnë shkeljet,
'Në zbatim të planit operacional mbarëkombëtar, të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për intensifikimin e kontrolleve, me qëllim parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin kanë organizuar dhe finalizuar fazën e 29-të të megaoperacionit policor antikanabis në nivel qarku, të koduar "Imazhi".
Gjatë kësaj faze, si rezultat i kontrolleve nga toka dhe me dronë, në fshatin Dilbnisht, njësia administrative Milot, shërbimet e Policisë gjetën të kultivuara 290 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat pas kryerjes së veprimeve procedurale, u asgjësuan nëpërmjet djegies. Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, u bë i mundur identifikimi dhe ndalimi i shtetasit G. Gj. 45 vjeç, banues në Laç, autor i dyshuar i kultivimit të këtyre bimëve narkotike.
Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjëndje të lirë për shpërdorim të detyrës edhe shtetasi S. G. 54 vjeç me detyrë kryetar i fshatit Delbnisht si dhe shtetasi M. Gj. 37 vjeç, me detyrë inspektor i zonës ku janë gjetur bimët narkotike. Vijon puna hetimore për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.- njofton policia.