TIRANE- Në një deklaratë të përbashkët pas zgjedhjeve të 23 qershorit në Shqipëri, Baronesha Catherine Ashton dhe komisioni Stefan Fyle kanë vlerësuar ecurinë e këtij procesi. Komisionerët e lartë të BE në vendin tonë, kanë vendosur theksin në rëndësinë krijimit të qeverisë së re, menjëherë pas certifikimit të zgjedhjeve. Baronesha Ashton dhe komisioneri Fyle në deklaratën e përbashkët theksojnë se pjesa e mbetur e procesit duhet të kryhet sipas standardeve.
 
“Tani është e rëndësishme që stadet e mbetura të procesit zgjedhor të kryhen në përputhje me standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare. Ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike të veprojnë me frymë konstruktive për të mirën e popullit shqiptar. Ne ju inkurajojmë që sapo të certifikohen rezultatet të krijohet menjëherë qeveria për trajtimin e sfidave të menjëhershme që ju presin për të garantuar që programi i reformave të vendit do të ndiqet fuqimisht dhe që procesi i integrimit evropian të mund të fitojë një vrull të ri”, thuhet në deklaratë.
 
Ndërkaq, dy komisionerët dënojnë rastet e dhunës të raportuara, dhe bëjnë thirrje që këto incidente të hetohen plotësisht, në mënyrë që përgjegjësit të vendosen para drejtësisë.
 
“Dëshirojmë të përgëzojmë qytetarët shqiptarë për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit që u zhvilluan në mënyrë të rregullt. Tani duhet garantuar ndjekja e duhur e gjetjeve paraprake dhe konkluzioneve të Misionit Ndërkombëtar për Vëzhgimin e Zgjedhjeve. Ne dënojmë rastet e raportuara të dhunës dhe presim që këto incidente të hetohen plotësisht dhe autorët të dalin para drejtësisë”, thuhet në deklaratë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)