Çështja siriane po trazon politikën ndërkombëtare orët e fundit. Në një deklaratë të fundit, Presidenti francez Francois Hollande tha sot se zgjidhja politike duhet të mbesë në fokusin për Sirinë. Ndërkaq sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, bën të ditur se, ekspertët e dërguar në Siri do të largohen të shtunën. Gjatë ditës së sotme, janë vënë re edhe lëvizje të flotës ushtarake ruse në detin Balltik e cila ka nisur disa anije për në Mesdhe. Më parë ishte Presidenti i SHBA-së, Barack Obama i cili tha se, është i bindur që pas sulmit me armë kimike qëndron qeveria e Assadit.
JA REAGIMET E NDËRKOMBËTARËVE SOT

ORA 13.40 ASSAD: DO TË MBROJMË VETEN PËRBALLË ÇDO AGRESIONI


Presidenti sirian Bashar al-Assad, ka paralajmëruar se vendi i tij do të "mbrojë veten përballë çdo asgresioni të mundshëm,", raporton televizioni shtetëror sirian. "Kërcënimet dhe agresioni i drejtpërdrejtë ndaj Sirisë vetëm sa do të rrisë angazhimin tonë ndaj parimeve të rrënjosura thellë dhe ndaj vullnet të pavarur prej njerëzve tanë", ai citohet të ketë thënë një delegacion të politikanëve të Jemenit.


ORA 12.40 FRANCË, HOLLANDË: QËLLIMI KRYESOR PËR SIRINË, ZGJIDHJA POLITIKE

PARIS - Presidenti francez, Francois Hollande ka thënë të enjtën se një zgjidhje politike duhet të mbesë fokusi për Sirinë, informon BBC.

Mirëpo, kjo sipas Hollande mund të ndodhë vetëm nëse komuniteti ndërkombëtar ndalon vrasjet në Siri dhe më mirë të përkrahë opozitën e presidentit aktual, Bashar al Assad.
 
“Çdo gjë duhet bërë për të arritur një zgjidhje politike, por kjo mund të ndodhë nëse koalicioni (opozitar) mund të paraqitet si alternativ me fuqinë e duhur”, ka thënë Hollande, siç raporton BBC. Deklarata e presidentit francez është bërë pas takimit me udhëheqësin e Koalicionit Kombëtar Sirian, Ahmed Jarba.

ORA 12.00 BAN: EKSPERTËT E OKB-së LARGOHEN TË SHTUNËN

Ekipi i hetuesve të OKB-së për armët kimike që po mundohen të verifikojnë nëse forcat qeveritare në Siri kanë përdorur apo jo armë kimike do të largohen nga ky shtet, të shtunën.

Lajmi është konfirmuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, gjatë qëndrimit të tij në Vjenë, të enjten.
 
“Ata do të vazhdojnë aktivitetet e tyre të hetimit deri nesër, pra të premtën dhe nga Siria do të largohen mëngjesin e së shtunës dhe mua do të më raportojnë menjëherë pasi të dalin nga Siria”, ju ka thënë Ban gazetarëve.

ORA 10.05 SIRI INTERFAX: RUSIA DËRGON ANIJE LUFTARAKE NË MESDHE
 
Forcat e armatosura ruse kanë dërguar disa luftanije në detin Mesdhe. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia ruse, “Interfax”, e cila iu referohet burimeve të saj.
 
"Grupi i anijeve luftarake të Rusisë do të ndryshojnë vendndodhje brenda disa ditës", citon agjencia Interfax një burim të sajin në Forcat e Armatosura ruse.
 
“Situata është e njohur në lindje të detit Mesdhe dhe kjo bën që edhe ne të shikojmë pozicionet e flotës tonë ushtarake. Një nëndetëse e madhe e flotës së së veriut pritet që t'i bashkohet brenda pak ditës anijeve të tjera që janë të vendosura në Detin e Zi.
 
Në këtë vend po shkon edhe kryqëzori Moska, i cili ka përfunduar misionin e tij në Altantikun e Veriut i cili është pajisur me një sërë raketash sulmi. Kjo anije do të niset dhe do të drejtohet në ngushticën e Gjibraltarit brenda pak ditësh”, - ka thënë për Interfax, burimi në Forcat e Armatosura ruse.

ORA 07.45 OBAMA: SULMI KIMIK NGA QEVERIA SIRIANE

“Ende nuk kemi marrë një vendim në lidhje me sulmimin e Sirisë”. Ky është deklarimi i Presidentit të SHBA-së Barack Obama në lidhje me situatën më të fundit në Siri, pas rrëzimit të rezolutës britanike në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
 
Presidenti SHBA-së tha gjithashtu se edhe nëse do të ketë një ndërhyrje në Siri, lufta nuk do të jetë e gjatë por e shkurtër aq sa për të ndryshuar rrjedhën e përballjes mes opozitës siriane dhe ushtrisë. “Nuk do të ketë një Irak të ri, nuk do të ketë një luftë të gjatë, por një ndërhyrje ushtarake të limitur”, - tha Obama.
 
Nga ana tjetër Presidenti i SHBA-së, Barack Obama ka reaguar edhe në lidhje me kërcënimet e bëra nga ministri i Jashtëm sirianë. “Territorit ynë nuk mund të arrihet nga sulmet terroriste apo armët kimike siriane”, - tha gjatë deklaratës së tij presidenti Obama.
 
Në një intervistë zhvilluar me Shërbimin e Transmetimeve Publike, PBS, zoti Obama tha se po vazhdon diskutime intensive me ekipin e sigurisë kombëtare dhe komandantët ushtarakë i kanë paraqitur një numër opsionesh.
 
“Kemi arritur në përfundimin se qeveria siriane ka kryer sulmet dhe me këtë veprim bëhen të domosdoshme pasoja ndërkombëtare. Për këtë arsye po konsultohemi me aleatët. Nuk kemi ndërmend të fillojmë një konflikt të hapur në Siri, por duhet të garantojmë se kur një vend shkel normat ndërkombëtare për shembull me armë kimike, që përbëjnë kërcënim për ne, ata duhen mbajtur përgjegjës”.  


 Redaksia online
(sg/shqiptarja.com/