Duke u nisur nga pozicionimi i planetëve tek shenjat astrologjike, duket se yjet favorizojnë shenjën e Gaforres, që përkon me ditëlindjen e kreu të PS, Edi Rama. Ndërsa kreu i PD, Sali Berisha, i cili i përket shenjës së Peshores, kësaj here duket se nuk është i favorizuar nga yjet, madje sipas parashikimit, mund të hasë vështirësi të mëdha.
“Edi Rama i lindur më 4 korrik 1964 i përket shenjës së Gaforres, e cila është jashtëzakonisht e favorizuar sa i takon mbështetjes së yjeve. Planeti Mërkur i jep oratorinë, dhe Venera e pozicionuar në shenjën e Gaforres i jep sharmin. Nga ana tjetër kemi ardhjen e Jupiterit mbas një periudhe prej 12 vitesh dhe prezenca e Jupiterit, bën atë që quhet ‘falja e mëkateve’, pra fshin gabimet dhe jep mundësi të reja në fushën ku aderon. Më të favorizuar janë Gaforret nga gjithë shenjat e tjera. Nga madhësia Jupiteri ia kalon gjithë planetëve, dhe dominon aty ku hyn”, tha astrologu Koço, duke iu referuar pozicionimit të yjeve.
Ndërsa sa i takon parashikimit të shenjës së Peshores, që i përket kreu i PD, Sali Berisha, i lindur më 15 tetor 1944, astrologu tha “Duke filluar nga kjo periudhë Peshoren do ta rendisja në një pozicion nga fundi dhe tepër kritik, por edhe Bricjapin. Këto dy shenja do të jenë më të pafavorizuara gjatë kësaj periudhe. Yjet sulmojnë shenjën e Peshores, dhe mendoj se zoti Berisha do t’i ketë pak të vështira këto zgjedhje, pasi nga mbështetja e yjeve do të ketë problematikë të madhe”.
Ndërkaq kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i lindur me 24 mars 1969 i përket shenjës së Dashit, që sipas parashikimeve të astrologut, renditet diku midis të qenit i favorizuar apo i disfavorizuar.
“Shenja e Dashit nuk do të jetë mes shenjave të favorizuara apo të disfavorizuara. Shenja e dashit vendoset në një pozicion gri, as të favorizuar as jo. Ka përparësi që ka një planet favorizues si urani. Kjo i jep qartësi. Meta do ketë mundësi të përdorë situatën në favor të tij, urani është një planet që bën revolucione”, u shpreh astrologu.
Ndërsa për shenjën e Demit, së cilës i përket kreu i partisë "Fryma e Re Demokratike”, astrologu Koço tha se “Shenja e Demit ka pasur një pozicion të disfavorshëm që nga fillimi i vitit 2012. Por tek Demat vihet re efekti i kundërt, aty ku shenjat e tjera bien në pasivitet nga vendosja e planetëve, Demat do të aktivizohen. Jupiteri në shenjën e Gaforres është shumë i favorshëm për Demin, por do t’i krijojnë pak probleme në modelin praktik. Nga favorizimi i yjeve Topi do të fitojë më pak nga sa ai ka besuar”.
Astrologu Jofiel Koço u ndal edhe tek raportet mes shenjave, ku sipas marrëdhënieve astrologjike, Dashi është një shenjë kundërshtare si më Peshoren, ashtu edhe me Gaforren.
“Dashi është shenjë kundërshtare me Peshoren dhe Gaforren. Dhe koalicioni nuk është i harmonizuar, dhe konflikte brenda do të ketë. Ekziston një rivalitet i heshtur, mes Jupiterit dhe Uranit. Pra mes Dashit dhe Gaforres”, tha astrologu.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)