Tre muaj pas atentatit ku mbeti e vrarë Mimoza Paja dhe 6 të tjerë të plagosur në lokalin e Fatjon Muratit në zonën e “Don Boskos” në Tiranë, policia ka arritur të identifikoj njërin prej bashkëpunëtorëve që ka siguruar kushtet dhe mjetet për kryerjen e kësaj vrasje.

Nikoll Sherrnikut, 28 vjeç, nga Fushë Kuqja e Kurbinit, i arrestuar që në 18 gusht të vitit 2022, iu komunikua këtë të mërkurë masa e arrestit me burg brenda qelive të paraburgimit ku ndodhet për një tjetër vepër penale, e cila vijon të jetë në hetim.

Nga hetimet intensive të nisura menjëherë pas ngjarjes, është vërtetuar se Sherrniku ka sjellë targa të huaja nga Gjermania, të cilat u janë vënë në dispozicion autorëve të ngjarjes, të cilat i kanë ruajtur dhe më pas përdorur të njëjtat targa në një automjet tip “BMV X5” në ditën e ngjarjes. Burime nga policia i thanë Report Tv se hetuesit janë duke verifikuar edhe për emra konkret të personave që dyshohet se kanë pasur rolin e qitësit në atentatin e 12 marsit në “Don Bosko”, por për shkak të sekretit hetimor identiteti i tyre nuk bëhet me dije. 

Sigurimin e materialeve për atentat Nikoll Sherrniku e ka kryer para se të arrestohej bashkë me një grua në gushtin e vitit të shkuar teksa ishte në lëvizje me një makinë të blinduar, brenda së cilës iu gjet një kallashnikov me dhjetëra fishekë. Në atë kohë 28-vjeçari nga Fushë Kuqja ishte në masën “arrest shtëpie” pasi ishte arrestuar më herët si person i dyshuar për eliminimin fizik të ish-efektivit të FNSH-SË Xhulio Prela më 5 dhjetor 2021. Periudha e lirimit Sherrnikut i ka shërbyer të sjell nga jashtë materialet që më vonë u përdorën për vrasje. 

Objektiv i atentatit të 12 marsit dyshohet se ka qenë Fatjon Murati, i cili ishte nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” për një arsenal armësh të gjetur në vjeshtë të 2022-shit në Tiranë. Atë mbrëmje Murati theu masën e sigurisë dhe u arratis drejt Prishtinës, me destinacion final Stambollin, duke i shpëtuar atantatit. Fatjon Murati ishte shoqëruar për t’u pyetur për vrasjen e trefishtë në korrik 2022 të kushëririt të Ervis Martinajt, Brilant Martinajt, dhe dy personave të tjerë te mbikalimi i Fushë Krujës, por ishte lënë i lirë. Konflikti dyshohet se është mes këtyre dy grupeve, por hetuesit akoma nuk e kanë zgjidhur akoma me prova konkrete.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:36
Siguroi mjetet e autorëve për atentatin në Don Bosko, Nikoll Sherrniku ‘ushtar’ i Ervis Martinajt, ishte mik i ngushtë me nipin e tij

1686147690_nikollsherrniku.jpg

Nikoll Sherrniku nga Fushë Kuqe e Kurbinit të cilit iu caktua ‘arrest me burg’ ditën e sotme për atentatin e 12 marsit ndaj lokalit të Fation Muratit njihet si anëtar i grupit të Ervis Martinajt.

Sherrniku i akuzuar si personi që siguroi mjetet e autorëve që kryen sulmin në lokalin e Muratit ku lanë të vdekur punonjësën 58 vjeçare Mimoza Paja. 28 vjeçari ishte shok i ngushtë i Brilant Martinajt, nipit të Ervis Martinajt i cili u ekzekutua në 17 korrik.

Aktualisht ai ndodhet i arrestuar pasi në gusht të vitit të kaluar u kap brenda një automjeti të blinduar me municion luftarak të cilin dyshohet se do ta përdorte për të kryer atentat.

Policia i sekuestroi një automatik me fishekë në fole gati për qitje, dy krehëra me fishekë, 2 radio marrëse-dhënëse si të Policisë, si dhe automjetin e blinduar.

Në të njëjtën ditë kur u arrestua ditën, Nikoll Sherrniku kishte thyer dhe masën “arrest shtëpie” pasi akuzohej për një tjetër ngjarje. Ai ndodhej nën atë masë në lidhje me implikimin e tij në ngjarjen e ndodhur në dhjetor 2021, ku mbeti i vrarë me armë zjarri ish-punonjësi i Policisë, shtetasi Xhulio Prela.

Ora 16:21
FOTO/ Siguroi mjetet për autorët që kryen atentatin ndaj lokalit të Fatjon Muratit në Don Bosko, ky është 28 vjeçari i arrestuar në 2022 për municion luftarak

1686147690_nikollsherrniku.jpg

Ky është 28 vjeçari Nikoll Sherrniku, i riu që dyshohet se ka siguruar mjetet dhe targat personat të cilët kryen atentatin ndaj lokalit të Fatjon Muratit në Don Bosko ku mbeti e vdekur punonjësja 58 vjeçare Mimoza Paja dhe u plagosën disa klientë.

I riu është i arrestuar që prej gushtit të vitit të kaluar pasi u kap teksa qarkullonte me municion luftarak dhe makinë të blinduar.