Qytetarë dhe turistë kënduan bashkë me artistët në Odenin e Pogradecit.
Në skenë u ngjitën artistët e njohur Kastriot Tusha, Enkelejda Arifi, Selami Kolonja, Nikollë Nikprelaj dhe Hysni Alushi, të cilët interpretuan këngë të repertorit patriotik dhe popullor.
Këngëtari nga Struga Selami Kolonja u shpreh se projekti është pritur me shumë entuziazëm nga publiku, ndërsa promovoi dhe dy krijime të reja muzikore.
“Frymëzuar nga poeti dhe shkrimtari i madh Lord Bajron që në lëvizjet e tij në sarajet e Ali pashë Tepelenës thoshte që në të zëntë nata në rrugë, shko fli në në Strugë. Ky lajtmotiv solli këngë shumë të bukura”, tha Kolonja.
Emocionet e mbrëmjes i ndanë me publikun edhe Enkelejda Arifi dhe Hysni Alushi. Pas Strugës e Pogradecit, ata njoftuan se turneu do të vijojë me koncerte në Gjilan dhe Dibër të Madhe, duke sjellë në skenë këngët dhe traditat e trevave shqiptare.
“Ndalesa e radhës do të jetë Gjilani në Kosovë dhe më pas do të jemi në Dibër të Madhe”, tha këngëtarja.
Koncerti "Atdheu mbi të gjitha" përpos argëtimit synon dhe promovimin e identitetit kombëtar dhe vlerat e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Komente











