VLORËLaertjad Kekaj ishte duke lëvizur me motoçikletë kur në drejtim të tij u zbraz breshëri kallashnikovi dhe pistolete me silenciator nga xhami i pasmë dhe sedilja e parë e një makine tip “Audi” me ngjyrë të zezë. I plagosur, 41-vjeçari ra në tokë por u ngrit sërish me shpresën për t’i shpëtuar atentatit. Eci 100 deri në 150 metra deri pranë Kishës Ortodokse në Vlorë, por njëri prej agresorëve zbriti nga makina, e ndoqi në këmbë dhe e qëlloi sërish, derisa u sigurua ta linte të vdekur. Më pas u kthye në makinën “Audi A6” me xhama të zinj dhe me targa italiane dhe u deshën pak minuta të dilte jashtë Vlorës.

Grupi hetimor bën me dije se bazuar në rrethanat e ngjarjes por dhe të provave të mbledhura deri tani atentati i ndodhur rreth orës 21:50 të 9 shtatorit 2023  në lagjen “28-Nëntori” ka qenë i mirëorganizuar. Edhe fakti që autorët kishin zgjedhur një makinë si 'Audi A6' të shpejtësisë së lartë për të kryer ekzekutimin është një tjetër provë bindëse se atentati ishte i mirëorganizuar.

Atentati,  plumba në kokë e trup
Mbrëmjen e së shtunës 41 vjeçari po kthehej me motor nga banesa e prindërve në lagjen “Pavarësia” për në shtëpinë e tij në lagjen “28 Nëntori”.  Plumbat që janë qëlluar fillimisht nga “Audi ë” pranë bibliotekës “Shefqet Musarai” në Vlorë e kanë plagosur duke e rrëzuar nga motori.

Ai ka ecur rreth 100-150 metra deri tek Kisha Ortodokse, por është ndjekur nga autorët. Njëri prej tyre, mendohet se personi që ka qenë në sediljen e parë të Audit, ka zbritur dhe e ka ndjekur deri në afërsi të furrës së bukës dhe e ka qëlluar sërish pranë një furre buke, për t’u siguruar që 41-vjeçari të vdiste. 

Ekspertët mjeko ligjorë thanë se 6 plumba kanë përshkuar trupin e Kekës, pjesa më e madhe në kokë.  

12 minutat e ikjes me “Audi A6’
12 minuta iu deshën agresorëve të largohen nga lagjja ’28 Nëntori’ në Vlorë ku kryen ekzekutimin të vijojnë drejt aksit Kotë – Sevastar ku dhe janë ndalur për të djegur makinën me të cilën kryen atentatin.

Kanë qenë banorë të cilët kanë njoftuar për makinën në flakë. Ndërsa policia në pjesën e pasme të saj ka gjetur dhe një kallashnikov që mendohet se është përdorur për të ekzekutuar Laertjad Kekaj. Makina por dhe kallashnikovi janë shkrumbuar. Janë gjetur edhe targat italiane edhe pse janë të dëmtuara nga zjarri.

Pasi dogjën makinën, 3 autorët dyshohet se u pritën nga persona të tjerë për t’u larguar pa lënë gjurmë. Rruga është e vështirë dhe mendohet se autorët janë larguar me fuoristradë drejt Selenicës ose drejt Sevasterit

Tetë të shoqëruar
Askush nuk është i dyshuar deri më tani. Policia e Vlorës ka shoqëruar 8 persona për t’u marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen, pjesa më e madhe e tyre dëshmitarë okularë, por burime pranë bluve bëjnë me dije se deklarimet e tyre nuk kanë ndihmuar hetuesit për zbardhjen e identitetit të autorëve. Gjatë natës janë ngritur pika kontrolli në hyrje/daljet e qytetit të Vlorës dhe në akset “Vlorë-Fier”, “Vlorë-Tepelenë” dhe “Vlorë-Himarë” por deri tani nuk ka asnjë të ndaluar. 
E gjithë zona është e rrethuar me kamera sigurie, pamjet e të cilave janë sekuestruar dhe po verifikohen për të zbuluar dinamikën e vrasjes si dhe lëvizjet e Audi ë, makinës së autorëve para dhe pas ekzekutimit.

28 gëzhoja
Policia gjeti 28 gëzhoja të kalibrit të ndryshëm, kallashnikovi dhe pistolete, 6 plumbat prej të cilëve e kapën në kokë dhe trup, të cilët rezultuan fatal.

Viktima me precedent të theksuar penal, borxhet
Mbetet i paqartë shkaku i këtij ekzekutimi, por një nga pistat është ajo e hakmarrjes. Viktima mësohet se në të kaluarën ka pasur konflikte dhe rezulton me precedent të theksuar kriminal. Laertjad Kekaj ka qenë i dënuar për bashkëpunim në një vrasje dhe ka vuajtur më shumë se 10 vite burg pasi në fillim të viteve 2000 mori peng një kambist dhe e ekzekutoi dhe vite më vonë është akuzuar edhe për vjedhje me dhunë. Por jo vetëm kaq. Viktima kishte shumë borxhe në lojra fati dhe ka qenë pjesë e grupeve kriminale që mund të kenë marrë pjesë në atentatet të ndryshme të ndodhura ndër vite në Vlorë

Lajm ne përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:42
Atentati në Vlorë, Laertjad Kekaj u qëllua me pistoletë silenciator dhe kallashnikov nga 2 qitës brenda në makinë

1694324550_mmmvmmv.jpg

Detaje të reja nga ekzekutimi i Laertjad Kekajt ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Vlorës. Burime nga grupi hetimor të cilave i referohet Report Tv bëjnë të ditur se ndaj 41 vjeçarit është qëlluar me dy armë, një pistoletë me silenciator dhe një kallashnikov.

Mendohet se në makinën nga ku është shtënë kanë qenë tre persona. Njëri qitës ka qenë në vend të parë të makinës dhe tjetri prapa, informon gazetari i Report Tv, Armand Xhelili.  Mësohet se viktima ka marrë 6 plumba në kokë e në trup. 

Rrethanat e ngjarjes nuk janë ende të qarta, por Keka ka qenë duke lëvizur me një motor kur është qëlluar nga mjet me targa italiane pranë bibliotekës në Vlorë. Report Tv ka mësuar se 41-vjeçari pasi është plagosur është rrëzuar nga motori dhe është ngritur në këmbë për t’u larguar. Ai ka ecur rreth 100-150 metra deri tek Kisha Ortodokse, por është ndjekur nga autorët, qe e qëlluar sërish për t’u siguruar që 41-vjeçari të vdiste. 

Ora 09:42
Vrasja në Vlorë, Report Tv sjell pamjet nga vendi ku ndodhi ngjarja! Zona e rrethuar me kamera

 

Report Tv sjell pamjet nga vendi i ngjarjes ku ndodhi vrasja në Vlorë. Siç shihet edhe nga pamjet, një ditë pas vrasjes, vihet re se zona është e pajisur me kamera sigurie të cilat mund të kenë filmuar makinën e autorëve, që pas vrasjes u largua drejt fshatit Kotë.

Policia e gjeti makinën me targa italiane të shkrumbuar nga flakët, ndërsa brenda saj ishte edhe kallashnikovi me të cilin dyshohet se është vrarë 41-vjeçari Laertjad Kekaj. Autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa 8 persona janë shoqëruar në polici. Kamerat e sigurisë në zonë do të vëzhgohen nga grupi hetimor dhe mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.

Ora 07:28
DETAJET nga vrasja në Vlorë, 41-vjeçari pasi u qëllua ra nga motori dhe eci për 100 metra! Autori e ndoqi nga pas dhe e vrau 

1694293619_laertkeka.jpg

Report Tv sjell detaje të reja nga vrasja e Laertjad Kekajt në Vlorë. 41-vjeçari është qëlluar me breshëri kallashnikovi teksa ecte me motor. Fillimisht ai është qëlluar përpara bibliotekës së Vlorës nga një mjet me targa italiane. Pasi është qëlluar, Keka ka rënë nga motori dhe ka ecur për rreth 100 metra, ndërsa autori e ka ndjekur nga pas edhe është siguruar që ta vrasë. Më pas 41-vjeçari është qëlluar sërish para kishës Ortodokse.

Ora 07:23
Vrasja në Vlorë, 41-vjeçari u qëllua me breshëri kallashnikovi, gjenden 28 gëzhoja në vendin e ngjarjes

1694324546_mmmvmmv.jpg

Laertjad Kekaj, i cili u ekzekutua mbrëmjen e djeshme në Vlorë është qëlluar me breshëri kallashnikovi. Autori ka dalë nga një mjet me targa italiane dhe e ka qëlluar me kallashnikov. Burime për Report Tv bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes janë gjetur 28 gëzhoja, që do të thotë se mbi Kekën është zbrazur një karikatori i plotë.

Mjeti që është përdorur nga autorët, është gjetur i djegur në fshatin Kotë në Vlorë. Ndërkohë, brenda tij është gjetur edhe kallashnikovi që dyshohet se është përdorur nga autori për të ekzekutuar 41-vjeçarin.

Ora 07:17
Vrasja e Laertjad Kekaj në Vlorë, shoqërohen 8 persona në polici

1694291701_vrasjevlore.jpg

Report Tv mëson se 8 persona janë shoqëruar në polici, pas vrasjes së Laertjad Kekaj i cili u ekzekutua me breshëri kallashnikovi. 8 personat e shoqëruar janë marrë në pyetje për ngjarjen.

Deri më tani, nuk ka asnjë person të dyshuar. Ndërsa mjeti që u përdor në krim është gjetur u shkrumbuar me kallashnikovin brenda në fshatin Kotë në Vlorë.