Report Tv ka siguruar foton e Kristian Ymerit, bashkëpunëtorit tjetër të atentatit të parandaluar në Lezhë, që çoi në arrestimin e tij dhe 2 të tjerëve.
34-vjeçari dyshohet të jetë vrasës me pagesë, i përfshirë edhe në ngjarje të tjera kriminale. Bashkë me 38-vjeçarin Vinçesk Piroli, ndodheshin në rrugën e vjetër Pllanë–Lezhë ku mendohet se do të kryenin ekzekutimin. Shënjestra nuk dihet ende pasi të arrestuarit kanë qëndruar gojëkyçur para policisë.
Ata ndodheshin mbi një motor të bardhë, të veshur me skafandra të zeza dhe të armatosur.
‘Blutë’ kishin marrë informacione se po përgatitej një atentat dhe i ndoqën për disa ditë.
Në rrugën Gjadër–Barbullush, në drejtim të Shkodrës, policia ndaloi makinën “Volksëagen” ku udhëtonin Piroli, nga Kurbini, me precedent të theksuar kriminal brenda dhe jashtë vendit, dhe Kristian Ymeri (Shkambi), nga Kamza, por edhe një bashkëpunëtor i tretë, Elden Tarja, 25 vjeç, nga Barbullushi i Shkodrës. Ky i fundit ishte drejtuesi i automjetit, që dyshohet se do t’i ndihmonte të largoheshin, pasi ata të kryenin vrasjen.
Në banesën e Tarjes në Barbullush, u gjet edhe motori, i sekuestruar tashmë bashkë me makinën si dhe tri pistoleta me krehra e fishekë, si dhe municion luftarak. Makina rezultoi se ishte vjedhur në Suedi, ndërsa çelësat iu gjetën 34-vjeçarit Kristian Ymeri (Shkambi).
Policia ka dyshime se tre të arrestuarit mund të kenë lidhje me atentatin e pak ditëve më parë në Sarandë ku u eliminua Artan Myrtaj, me të njëjtën skemë, me motor, skafandra dhe të kamufluar.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë









Komente
Komento