TIRANË- Rreth një vit pas atentatit të dështuar ndaj Inez Hajrullës dhe Ervis Matodashajt, është ekstraduar porositësi dhe organizatori i Leonard Luzi alias Leonard Sejno. 47-vjeçari nga Vlora u arrestua në Spanjë në korrik 2024 dhe pas 4 muajsh ekstradohet në vendin tonë si i akuzuar për atentatin ndaj Hajrullës dhe Ervis Matodashajt në gusht 2023. Në pamje, shihet momenti kur Luzi mbërrin në aeroportin e Rinasit dhe shoqërohet nën masa të rrepta sigurie.

GJKKO ka caktuar ndaj tij masën “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.

"Ekstradohet nga Spanja, shtetasi Leonard Luzi alias Leonard Sejno, i cili akuzohet nga GjKKO-ja se organizoi vrasjen e 2 shtetasve në Vlorë (krim i parandaluar si rezultat i ndërhyrjes së Policisë). Shtetasi Leonard Luzi alias Leonard Sejno, u arrestua në Spanjë, gjatë operacionit të koduar “Rekrutuesi”. 

Si rezultat i bashkëpunimit mes autoriteteve të Shqipërisë dhe Spanjës, në zbatim të marrëveshjes së ekstradimit, u ekstradua nga Spanja, shtetasi Leonard Luzi alias Leonard Sejno, 47 vjeç, i lindur në Vlorë. 47-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të grupit kriminal, kishte organizuar vrasjen e shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inzez Hajrulla.  

Ky krim u parandalua nga Policia, pasi shtetasi Amarildo Nikolli u arrestua para se të kryente vrasjet. Shtetasit Amarildo Nikolli, në momentin e arrestimit, iu sekuestrua pistoleta me fishek në fole, e gatshme për qitje", njofton policia. 

47-vjeçari akuzohet se më datë 08.08.2023, kishte organizuar vrasjen e Ervis Matodashajt dhe Inez Hajrullës, por ky krim u parandalua nga Policia pasi policia arrestoi në gusht 2023 Amarildo Nikollin me pistoletë gati për qitje. 6 muaj pas arrestimit të Nikollit, u zbardh që objektiv i atentatit të këtij grupi kriminal kishte qenë i forti i Vlorës, Inez Hajrulla.

Për atentatin ndaj Hajrullës, më herët ka rënë në pranga Muharem Koroveshi, Amarildo Nikolli dhe Leonard Luzi që u ekstradua sot. Në kërkim rezulton ende Erio Zejno. Luzi kishte planifikuar atentatin për hakmarrje për vrasjen e kushëririt të tij, Erigert Ferik (Zejno) në 2013. Një nga personat e dyshuar ai autor ka qenë edhe Ervis Matodashaj, mirëpo një vit më vonë gjykata vendosi pushimin e hetimeve për mungesë të provave ndaj tij. 

Leonard Luzi