Report Tv ka siguruar fotografinë e automjetit Volkswagen, tip ‘Golf 5’ , me të cilën po udhëtonte Marklen Haka kur u qëllua 20 herë me armë automatike MP5. Aty duket se si plumbat kanë lënë shenja në xhamat e makinës. Në dëshminë e tij ka deklaruar se e kishte parë një makinë që po e ndiqte, por që nuk e kishte menduar se do e qëllonte.
Marklen Haka është shprehur se është qëlluar nga përpara, në një moment që kishte ndalur makinën dhe më pas autori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Megjithatë, pavarësisht dëshmisë së Hakës, grupi hetimor dyshon se kjo dëshmi nuk është e vërtetë pasi nga ekspertiza që është bërë në vendin e ngjarjes ka dyshime që autori ka qenë në këmbë dhe jo në makinë, megjithatë kjo është ende duke u vërtetuar.
Në vendngjarje ka pasur kamera sigurie, por ato nuk i kanë shërbyer grupi hetimor për të kuptuar si ndodhi ngjarja dhe për të shkuar deri në gjurmët e autorit.
Haka u qëllua me 20 plumba me armë automatike MP5, teksa një plumb e ka prekur në nofull. Ai u dërgua në spital nga miqtë e tij, duke mos pritur ambulancën apo policinë në vendin e ngjarjes.
Marklen Haka që njihet dhe me emrin Mariglen Haka është arrestuar disa herë dhe por ka arritur të dalë duke sfiduar organet e drejtësisë. Më 7 janar të këtij viti gjatë një aksioni të forcave RENEA në Fushë-Krujë u prangos bashkë me dy të tjerë për armë pa leje dhe kokainë në doza të vogla për shitje. Më 19 shkurt të vitit 2021 ishte arrestuar tek Xhamlliku në Tiranë me armë por sërish ka fituar lirinë. Hakaj gjithashtu ka qenë i arrestuar edhe për një vrasje të ndodhur në Qershor të viti 2011 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, por është liruar për mungesë provash.
Ndërkohë në shtator të vitit 2019, breshëri plumbash u shkrepën nga katër armë në drejtim të shtëpisë së Hakës. Nga atentati mbeti e vdekur halla e tij Shpresa Basha, ndërsa Marklen Haka arriti të shpëtonte me një plumb në krah. Haka njihet për miqësinë me Valter Bamin, vëllain e Durim Bamit, i cili e transportoi të plagosur në spital në 2019-ën.