Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, në takimin e parë me drejtorët e policive të qarqeve në vend, një ditë pas atentatit të rëndë në Sarandë, ka kërkuar ngritjen e një task force në qytet, për hetimin e ngjarjeve të fundit kriminale në qytet. Burime pranë policisë i thanë Report Tv se ministri Demo ka qenë i ashpër me komisariatin, duke kërkuar edhe shkarkim të niveleve drejtuese atje.
Është e paqartë nëse kryepolici Skënder Hita do të ndërmarr në vijim një vendim për largimin nga detyra të shefit të komisariatit dhe shefave poshtë tij, vetëm për ngjarjen e vrasjes së Artan Myrtajt, në një kohë që gjatë muajve të verës në këtë qytet janë kryer disa operacione të suksesshme për rritjen e sigurisë dhe uljen e nivelit të krimit të organizuar. Pak javë më parë, një operacion me 20 masa sigurie për droge u përmbyll me arrestimin e plotë të tyre, përfshirë lënien në qeli të të gjithëve.
Ndërkohë, ministri Demo ka kërkuar nga të gjithë drejtorët e qarqeve në vend një analizë të plotë të punës, për të gjithë territorin, sidomos për sigurinë në shkolla.
Lajmi kryesor:
Asnjë gjurmë nga autorët që eliminuan ‘Tanin e Rruzhdiut’ në Sarandë, 16 gëzhoja në vendin e ngjarjes! Kontrolle te banesa e Ervis Lamajt në Kamëz








