TIRANE- Atentati i katër ditëve më parë në qytetin e Shkodrës, ende s’ka autor dhe as motive. Policia e qytetit verior, në bashkëpunim me ekspertë të Krimeve të Rënda kanë bërë të mundur të dokumentojnë me dhjetëra dëshmi miqsh dhe familjarësh të dy viktimave, për të hedhur dritë mbi lëvizjet e kohëve të fundit të Edmond Batrit dhe të Admir Alijajt si dhe për të mësuar më shumë në lidhje me aktivitetin e tyre ndër vite.

Referuar të dhënave të besueshme që vijnë nga Policia e Shkodrës bëhet me dije, se i vetmi fakt që ka dalë orëve të fundit përgjatë hetimeve është një udhëtim i dy viktimave ditëve të fundit në drejtim të një prej kryeqyteteve të një shteti të Ballkanit, një udhëtim që sipas policisë ende nuk është sqaruar se cili ka qenë motivi.