ATHINË - Policia greke gjendet ditët e fundit në gjendje alarmi të shkallës së lartë, sidomos pas informatave dhe vlerësmit të disa treguesve për një goditje terroriste në territorin e Greqisë, brenda muajit shtator. Ky akt terrorist, i cili prej autoriteteve të larta të policisë dhe shërbimit antiterror konsiderohet se mund të jetë i rëndë, ka si objektiv një sipërmarrje tepër të rëndësishme në sektorin ekonomik, por edhe një personalitet tepër të rëndësishëm të ekonomisë në Greqi.

Gjendja alarmante e konstatuar dhe e theksuar nga zyrtarët e lartë antiterror ka bërë që të shtohen së tepërmi masat e sigurisë, sidomos me mbërritjen e ekipit të Trojkës në Athinë në fillim të shtatorit. Për këtë arsye janë përforcuar në maksimum masat e sigurisë në të gjithë perimetrin se ku do të lëvizin të dërguarit e Trojkës, por edhe personalitete greke në fushën e ekonomisë.

Përpjekja për rigrumbullimin dhe riorganizimin e organizatave ekstremiste e anarkiste, sidomos të “guerriljeve qytetare” në Greqi që ishte konstatuar e deklaruar qysh në fillim të verës me një sërë aktesh dhe agresionesh me bomba e kishte vënë në lëvizje shërbimin antiterrorist grek dhe shërbimet sekrete informative, pavarësisht se një gjë e tillë nuk ishte deklaruar publikisht.

Për këtë arsye ishin vënë nën survejim shumë persona që lëviznin në fushën ideologjike të ekstremit të majtë, shumë prej tyre ishin arrestuar e marrë në pyetje.

Redaksia Online
( j. k/ Shqiptarja.com)