/ATSH-AFP/ - Qeveria greke propozoi në Bruksel një zgjatje për gjashtë muaj të marrëveshjes së kredisë evropiane që nuk përfshin zgjatjen e memorandumit të ndërmarrë , sinonim i masave shtrënguese, por angazhohet gjatë kësaj periudhe për ekulibrimin buxhetor , theksoi një burim qeveritar.
"Qeveria e Aleksis Ciprasit, në linjë me premtimet e tij, nuk ka kërkuar zgjatje të memorandumit, programi i ndihmës në fuqi që prej vitit 2010, por një zgjatje të marrëveshjes së kredisë evropiane nëpërmjet një marrëveshjeje urë gjashtë mujore gjatë së cilës qeveria angazhohet për ekuilibrimin buxhetor", theksoi i njëjti burim.
Në të njëjtën kohë, propozimi i Athinës garanton partnerët e saj evropianë për reforma të menjëhershme kundër evazionit fiskal dhe korrupsionit dhe paralelisht për masa për të përballuar krizën humanitare dhe për rritjen e ekonomisë.
"Kjo marrëveshje ka si qëllim t'i japë më shumë kohë qeverisë për të prezantuar në zonën euro një kontratë të re për rimëkëmbjen dhe rritjen ekonomike për periudhën 2015-2019, që do të përfshijë një plan për reduktimin e borxhit, ashtu si parashikonte vendimi i vitit 2012 të ministrave evropianë të Financave" vijoi burimi.