ATHINË, 16 shkurt /ATSH-ANA-MPA/ - Nuk duam kredi të reja shpëtimi, deklaroi kryeministri grek, Aleksis Cipras për revistën gjermane "Stern" që do të publikohet të enjten.
Sipas revistës, kryeministri 40-vjeçar grek, kryetar i SYRIZA-s, është i hapur për dialog dhe optimist.
"Jam në favor të një zgjidhjeje nga e cila fitojnë të gjithë. Një zgjidhje win-win (fito-fito - shën. përkth.). Dua të shpëtoj Greqinë nga një tragjedi dhe të mbroj Europën nga përçarja", deklaron Cipras.
"Cipras e bën të qartë se në vend të parave kemi nevojë për kohë, për të realizuar planin tonë për reformat. Ju premtoj se Greqia pas gjashtë muajsh do të jetë një vend tjetër", shkruan "Stern".
Ajo vë në dukje se në muajin shkurt përfundon programi i ndihmës.
"Në rast se nuk arrihet marrëveshje me partnerët, Greqia mund të përballet me rrezikun e një kolapsi ekonomik. Sistemi i sigurimeve shoqërore mezi po mundet të trajtojë viktimat e krizës. Të paktën 1,3 milionë njerëz janë të papunë, qindra mijëra të tjerë nuk kanë siguracion shëndetësor. Cipras dëshiron të përballojë menjëherë pasojat më të rënda të krizës me një program i cili, sipas departamentit ekonomik të SYRIZA-s, do të kushtojë 12 miliardë euro", shkruan "Stern".
Lidhur me takimin e shkurtër që kishte para disa ditësh me kancelaren Angela Merkel, Cipras thotë se "e njeh si një njeri fisnik".
"Nuk është kaq e ashpër sa e paraqesin mediat", thotë ai.
"Merkel është një politikane që e njeh realitetin, që nuk do të vejë në rrezik të ardhmen e Europës", thekson Cipras./ a.jor.










